Kosova alarmohet nga Reporterët pa Kufij: Reagime të shumta pas rënies për 24 vende në lirinë e mediave - NACIONALE

Kosova alarmohet nga Reporterët pa Kufij: Reagime të shumta pas rënies për 24 vende në lirinë e mediave

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Sot është publikuar raporti i Reporterëve pa Kufij për Indeksin e Lirisë së Shtypit, ku Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit.

Kosova ka shënuar rënie për 24 pozita, pra, me ardhjen në pushtet të qeverisë Kurti, gjuhës ndaj gazetarëve, Kosova në këtë raport, ka shkuar vetëm duke shënuar rënie, duke kulmuar me këtë të fundit.

Rënia drastike e Kosovës në këtë raport bëri që të ketë shumë reagime të ashpra, duke e cilësuar si një alarm serioz për gjendjen e demokracisë dhe të drejtës për informim në vend.

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër për Indeksin e Lirisë së Shtypit, që Kosovën e renditi në vendin 99.

Ajo ka thënë se Kosova është renditur afër Angolës, Mozambikut dhe Mongolisë.

Kusari gjithashtu ka renditur disa arsye për këtë rënie dramatike.

Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun, Radio Televizioni i Kosovës, Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, Bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve, Moszbatimi i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, Vëzhgimi i gazetarëve, Policia dhe prokuroria i hetojnë rastet por nuk ngrisin aktakuza.” – ka shkruar ajo.

Gazetari Adriatik Kelmendi është shprehur i shqetësuar me rënien e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit.

Ai ka bërë me dije se rënies e Kosovës në këtë renditje është lajm shumë i keq.

Kur Albin Kurti synonte ta mbyllte një media, më të madhen, arsyetohej se Kosova i ka edhe nja 444 media të tjera dhe një më shumë a më pak nuk luan rol. Me rezultatet negative që po i korrë Kosova çdo ditë - e fundit - sot rangimi katastrofal i lirisë së medias në vendin e 99, nuk e di pse s’po thotë Albini po e mbylli Vetëvendosjen që ta shmangim vetëfundosjen.” – ka shkruar Kelmendi ndër të tjera.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për raportin e Lirisë së Mediave.

Ajo ka thënë se pushteti i Albin Kurtit ka sulmuar gazetarët, ka denigruar mediat kritike, dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë.

Gjatë katër viteve të fundit gazetarët janë etiketuar si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, janë përballur me padi, kërcënime, bojkote dhe fyerje të përditshme. Ky diskurs sot është bërë normë dhe është rezultat i sjelljes katërvjeçare të LVV-së në pushtet. Ky diskurs e kjo sjellje është brejtësi që po shkatërron themelet e demokracisë.” – ka shkruar ajo.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për indeksin e Reporterëve pa Kufij.

Ajo ka shkruar se kjo tregon për sulmet e vazhdueshme, etiketimet dhe presionet që po e dëmtojnë ambientin mediatik.

Rënia dramatike e Kosovës për 24 vende në Indeksin e Lirisë së Medias nga Reporterët pa Kufij përbën një alarm serioz për gjendjen e demokracisë dhe të drejtës për informim në vend. Nga pozita 75 në vitin 2024, në pozitën 99 këtë vit, Kosova po rrëshqet drejt një terreni ku zëri i lirë i gazetarëve dhe transparenca institucionale po cenohen çdo ditë.” – ka shkruar Çitaku.

Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se e kjo rënia është pasojë e frikës, kontrollit dhe arrogancës politike.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se liria e shtypit në Kosovë është fituar me sakrificë dhe nuk duhet të shkëmbehet me heshtje.

Rënia e lirisë së medias në Kosovë nuk është rastësi, është pasojë e frikës, kontrollit dhe arrogancës politike. Liria e shtypit është fituar me sakrificë. Nuk duhet kurrë të shkëmbehet me heshtje. Kjo nuk është mënyra si nderohet lufta për liri. Një qeveri që ka frikë nga kritika, ka frikë nga populli i vet.” - ka shkruar Haradinaj.

Lajme të ngjashme