'Abdixhiku ose unë', tha Haziri, por Nagavci ia ‘shuan shpresat’: VV është e interesuar për president jopartiak
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dje iu vetëofrua VV-së që të bëhet ai ose lideri i tij i partisë, Lumir Abdixhiku, president, edhe pse ky i fundit nuk është, së pari, plotësisht legjitim as brenda LDK-së, pasi së fundi disa aktorë të rëndësishëm të këtij subjekti politik kanë kërkuar dorëheqjen dhe zgjedhje të brendshme, duke kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi për humbjet e vazhdueshme në zgjedhje. Ndërsa vetëm disa orë pas kësaj deklarate të Hazirit, nga VV kanë deklaruar se kërkojnë president jopartiak.
Haziri për REL ka deklaruar se, nëse VV i ofron LDK-së postin e Presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale, atëherë mund të jetë emri i Lumir Abdixhikut, por që nënkryetari i LDK-së nuk e ka përjashtuar as veten, pasi, siç ka thënë, “pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”.
“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, ka thënë Haziri.
Por këto “apetite” të shprehura nga ana e nënkryetarit të LDK-së, janë “shuar” nga deputetja e zgjedhur e VV-së, Arbërie Nagavci, e cila tha se partia të cilës i përket është e interesuar për president jopartiak.
Nagavci ka thënë se janë të interesuar për një emër konsensual dhe jopartiak për president.
Tutje, ajo ka thënë se nga praktika kanë mësuar që kandidatët partiakë nuk janë shembulli më i mirë dhe se presidenti duhet të ketë rol unifikues.
“Sot jemi të gatshëm të bisedojmë shumë seriozisht. Lëvizja Vetëvendosje, në këtë moment që po flasim, dhe ky është mendimi im, është e gatshme dhe e interesuar që të dakordohet për një emër konsensual dhe jopartiak për president apo presidente të Kosovës. Sepse praktika po na dëshmon çdo ditë se kandidatët partiakë nuk janë shembulli më i mirë, edhe për shkak të rolit unifikues që duhet ta ketë presidenti”, ka deklaruar Nagavci.
Nagavci tutje është pyetur edhe nëse VV do të qeverisë me LDK-në, PDK-në apo AAK-në, Nagavci tha se për këtë çështje nuk mund të japë përgjigje në këtë fazë.
“Kjo është çështje që nuk mund t’i përgjigjemi sot. I kemi numrat e mjaftueshëm për ta votuar qeverinë. Gjithsesi, unë nuk mund të them sot që do të qeverisim me një parti tjetër”, deklaroi ajo.
Ndryshe, VV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.
Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota, apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.
Duhet theksuar se LDK-ja garoi si kandidate për presidente me Vjosa Osmanin dhe jo Lumir Abdixhikun, por sipas Hazirit, LDK nuk mund t’ia sigurojë Osmanit të gjitha votat e deputetëve të tyre.