7 pasagjerë nga Kosova i çesin punë policisë në aeroportin e Memmingenit: Tejkaluan kohën e qëndrimit
Shtatë udhëtarë nga Kosova i kanë shkaktuar punë të madhe policisë të dielën në aeroportin e Memmingenit. Ata kishin mbërritur me vonesë – dhe përfunduan duke marrë një kallëzim penal.
Mediumi gjerman “Allgäuer Zeitung” raporton se shtatë udhëtarët u evidentua se kishin tejkaluar kohën e qëndrimit në Gjermani.
Sipas policisë atje, një çift që kishte qëndruar më gjatë se sa lejohej, e kishte kaluar afatin prej 90 ditësh për më shumë se dy javë. Konkretisht, ata ishin kaluar 15 ditë më tepër nga sa lejohet në zonën Shengen.
Një tjetër shtetas kosovar, 30 vjeç, kishte qëndruar dy ditë më shumë, ndërsa një grua 50-vjeçare e kishte kaluar afatin për një ditë.
Ndalet edhe një nënë me dy fëmijët e saj
Gjithashtu, në kontrollin e daljes për fluturimin e Wizzair drejt Prishtinës, një 24-vjeçare nga Kosova me dy fëmijët e saj rezultoi se kishte qëndruar një ditë më shumë se sa ishte e lejuar.
Policia kufitare ka hapur për të gjithë personat e përmendur procedura penale sipas Ligjit për Qëndrimin. Megjithatë, pas përfundimit të procedurave, të gjithë janë lejuar të marrin fluturimin, sqaroi policia.
Sipas rregullit të njohur si “90/180 ditë”, qytetarët e vendeve të treta (jo anëtare të BE-së) mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh në zonën Shengen. Sipas Ministrisë së Jashtme Gjermane, në këtë llogaritje përfshihen edhe dita e hyrjes dhe ajo e daljes.
Në rast se tejkalohet ky afat, policia merret me “tejkalim të qëndrimit”. Sipas autoriteteve, në aeroportin e Memmingenit raste të tilla evidentohen pothuajse çdo ditë. Në mars të këtij viti, për shembull, policia ndaloi në një ditë të vetme tre pasagjerë që kishin qëndruar së bashku gati 800 ditë më shumë nga sa lejohej. Rekordin e mbante një grua nga Gjeorgjia, e cila kishte qëndruar ilegalisht për 384 ditë.