32 ditë deri te Presidenti i ri: VV statike, Kurti në Paris, Konjufca u pa në Bratisllavë, partitë opozitare në veprim
Shpallja e aktgjykimit për çështjen e presidentit nga Gjykata Kushtetuese ka dinamizuar jetën politike në vend. Dy ditë pas publikimit të aktgjykimit, i cili i ka dhënë Kuvendit kohë edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit të ri, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për të diskutuar rreth kësaj çështje. Lidhja Demokratike e Kosovës, poashtu mblodhi këtë të premte, grupin parlamentarë për të diskutuar rrugën përpara. E vetmja nga partitë e mëdhë që s’ka lëvizur, as s’ka mbledhur organet e veta, e as iniciativë konkrete për ta tejkaluar këtë proces, mbetet ajo që ka më së shumëti deputetë në Kuvend; Lëvizja Vetëendosje. Madje kryetari i kësaj partie ndodhet në Paris, ku po zhvillon takim me Presidentin e Francës Macron, ndërsa kandidati për president, që vjen nga e njejta parti, Glauk Konjufca, të enjtën mbrëma u pa në Bratisllavë të Sllovakisë.
PDK
Para fillimit të mbledhjes, Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se vetëm pas diskutimeve në organet drejtuese PDK-ja do të marrë një qëndrim në lidhje me çështjen e presidentit.
“Ne jemi shpreh qartë që Partia Demokratike e Kosovës e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në këtë vend duhet të respektohen vendimet e gjykatave, posaqerisht të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai, duke paralajmëruar së PDK-ja do ta mbledh edhe Këshillin Drejtues.
“Sot kemi mbledhje të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues. Do t`i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe sigurisht se mbi bazën e vendimeve të organeve të PDK-së ne do të dalin zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Gjithçka që flasim para diskutimeve në organet e partisë nuk është e duhura, sepse ato janë për me i disku, me i debatu, me marr vendime dhe me qendru në këto vendime”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se deri me tani nuk ka marrë ndonjë ftesë për takim me Kurtin.
“Nuk ka ftesë”, ka thënë ai
Pas mbledhjes, sekretarja e partisë Vlora Çitaku mohoi se Vetëvendosje u ka ofruar atyre postin e presidentit, siç ishte raportuar në disa media.
LDK
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka diskutuar zhvillimet e fundit politike, me fokus aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin vlerëson se ka rikthyer qartësinë juridike dhe procesin në kornizën kushtetuese.
LDK ka riafirmuar qëndrimin për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin normal të institucioneve dhe ruajtjen e balancës demokratike, duke theksuar se veprimet politike duhet të udhëhiqen nga përgjegjësia shtetërore.
Sipas kësaj partie, zgjedhja e Presidentit mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, ndërsa përgjegjësia për sigurimin e saj i takon partisë së parë. Në të kundërtën, LDK paralajmëron se dështimi mund të çojë vendin në zgjedhje të reja, ku thotë se do të garojë e bashkuar dhe me vizion të qartë.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka lëvizur pas aktgjykimit.
Përmes një njoftimi të kësaj partie është bërë e ditur se sot në ora 16:00 pritet të mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues.
“Ju njoftojmë se sot, në ora 16:00, do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Aleancës lidhur me situatën e krijuar.Pas përfundimit të mbledhjes, do t’ju informojmë për vendimet dhe qëndrimet që do të dalin nga diskutimet”, është thënënë njoftimin e AAK-së.