17 shkurti dhe bota: Sot ‘koordinimi’ fjalë e ndytë për pushtetin, më 2008 ishte vetë Pavarësia - NACIONALE

17 shkurti dhe bota: Sot ‘koordinimi’ fjalë e ndytë për pushtetin, më 2008 ishte vetë Pavarësia

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë.

S’ishte thjesht vendim i një parlamenti të ri: ishte kulminimi i një dekade administrimi ndërkombëtar dhe negociatash të stërzgjatura.

Që atë pasdite, bota u nda në dy kampe. Mbështetja për Kosovën u bë po aq strategjike sa edhe juridike.

Një nga shtetet e para që njohu Kosovën ishte Kosta Rika.

Një lëvizje kjo e befasishme dhe e përllogaritur mirë.

Ministria e Jashtme e saj publikoi njohjen po atë pasdite, përmes një komunikate zyrtare dhe letre formale.

Ministri i Jashtëm Bruno Stagno Ugarte përgëzoi qytetarët e Kosovës për “ndërtimin demokratik dhe paqësor të një shteti të pavarur”.

Ai theksoi “të drejtat sovrane” dhe “përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare”.

Rëndësia e këtij gjesti ishte politike. Kosta Rika, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, i dha njohjes së pavarësisë së Kosovës shtresë neutraliteti.

Narrativa se pavarësia e Kosovës ishte tërësisht projekt i "imperalizmit" perëndimor apo zgjerimit i NATO-s, me Kosta Rikën lëkundej. Një zë nga Jugu Global e thente atë tregim qe synonte të etablohej.

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit u kthye në arenë përplasjeje. Rusia kërkoi mbledhje urgjente dhe shpalljen e pavlefshme të aktit pavarësist të Kuvendit të Kosovës.

Përballë saj u formua një front i përbashkët: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Belgjika dhe Kroacia.

Deklarata e përbashkët pranoi bllokimin në Këshill, por theksoi se “procesi i statusit ka arritur përfundimin e tij”.

Sipas këtij koalicioni uestern, negociatat kishin shteruar çdo alternativë tjetër për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Përfshirja e Kroacisë kishte peshë simbolike. Një ish-republikë jugosllave që kishte kaluar luftën, legjitimonte fundin e shpërbërjes.

Ky front i unifikuar neutralizoi kërkesën ruse për ndërhyrje të OKB-së kundër Prishtinës.

Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-moon, mbajti qëndrim neutral, duke shmangur përshkallëzimin institucional.

Në Paris, ministri i Jashtëm Bernard Kouchner i uroi shtetit të ri “fat të mbarë”.

Fjalët e tij kishin peshë të veçantë. Ai kishte drejtuar UNMIK-un pas luftës së vitit 1999.

Kouchner mbështeti argumentin “sui generis”. Kosova, sipas tij, ishte rast unik, jo precedent universal.

Ai theksoi se trajtimi brutal nga regjimi i Slobodan Milosevic kishte thyer lidhjen sovrane mes Beogradit dhe Prishtinës.

Po atë ditë, presidenti francez Nicolas Sarkozy i dërgoi letër njohjeje presidentit Fatmir Sejdiu.

Franca e konsideroi vendimin të pakthyeshëm dhe e vendosi të ardhmen e Kosovës “brenda familjes evropiane”.

Shtylla juridike e procesit ishte Plani i Martti Ahtisaari.

Deklarata e pavarësisë shpalli se veprimi ishte “në përputhje të plotë me rekomandimet” e tij.

Plani parashihte decentralizim për komunitetin serb dhe mbrojtje të objekteve të Kishës Ortodokse.

Ai garantonte prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake gjatë tranzicionit.

Kjo e kishte si me fillim pavarësinë e mbikëqyrur, jo shkëputje të pakushtëzuar të menjëhershme.

Në terren, siguria u garantua nga NATO përmes misionit KFOR.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, bëri thirrje po atë ditë për “përmbajtje maksimale dhe maturi”.

Komandanti Xavier de Marnhac deklaroi se trupat do të “reagonin ndaj çdo provokimi”.

Ky ishte mesazh i qartë: statusi i ri nuk do të përmbysej me forcë.

Mbështetja amerikane ishte e koordinuar me kujdes. Presidenti George W. Bush e quajti procesin “të menduar gjatë” dhe “të planifikuar mirë”.

Uashingtoni shtyu njohjen formale për 18 shkurtin.

Në 24 orët e para u krijua dhe shtri efekti i mbështetjes së gjerë dhe të sinkronizuar.

Nga Kosta Rika te NATO, nga Këshilli i Sigurimit te Parisi, u ndërtua muri i legjitimitetit.

17 shkurti 2008 dëshmoi se sovraniteti modern nuk është vetëm e drejtë, por edhe përgjegjësi.

Kosova nuk lindi në vakum. Ajo lindi në negociata globale, ku fuqia, morali dhe ligji ndërkombëtar u ndërthurën.

Vetëvendosja atë ditë "nuk festoi".

Lajme të ngjashme