Qeveria s’ka ndarë asnjë informacion me opozitën për çështjen e aplikimit në KiE

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ka kaluar një muaj që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe Qeveria nuk ka ndarë asnjë informacion me subjektet opozitare në lidhje me procesin. Pavarësisht injorimit nga Qeveria, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-së janë shprehur të gatshme ta japin kontributin e tyre në këtë proces

Subjektet politike opozitare janë shprehur të gatshme për të ndihmuar në procesin e anëtarësimin të Kosovës në Këshill të Evropës, por Qeveria e Kosovës deri me tani nuk u ka ofruar asnjë informacione për këtë proces. Madje, për kohen e aplikimit dhe mënyrën e angazhimit për t’i siguruar votat për anëtarësim, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka informuar as anëtaret e Komisionit për Politikë të Jashtme.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë për gazetën Nacionale se Qeveria është dashur ta informojë për çdo gjë opozitën.

“Përkundër vullnetit tonë të mirë për të ndihmuar në këtë proces, fatkeqësisht Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka ndarë asnjë informacion me ne për këtë proces, e fatkeqësisht po duket se nuk është koordinuar me partnerët tanë strategjik”, ka thënë ajo.

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar për Nacionalen edhe deputetja e AAK-së në Komisionin për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj.

“Ne si komision parlamentar kemi pasur një vizitë në Shqipëri, ku kemi kërkuar nga deputetët e Shqipërisë që janë edhe deputetë në Këshill të Evropës, në mënyrë që edhe ata të angazhohen të kolegët e tyre nga vendet tjera që ne ta arrimë qëllimin për anëtarësim.

Ne si komision parlamentar nuk kemi asnjë informatë në lidhje me aplikimin, apo se si po shkon procesi i lobimit. Nuk e di a ka ndonjë informatë kryetari i komisionit, por ne si deputet të komisionit për punë të jashtme, nuk kemi ndonjë informatë për agjendën”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë për gazetën Nacionale se kjo parti është duke u angazhuar maksimalisht në këtë proces, pavarësisht mos informimit të qeverisë për procesin.

“LDK është duke u angazhuar maksimalisht në shfrytëzimin e rrjeteve të saja për lobim në këtë drejtim. Edhe në Kongresin e EPP në Rotterdam, Kryetari Abdixhiku i ka ftuar gjithë anëtarët e EPP, që njëkohësisht përbejnë edhe shumicën e votuese, të mbështesin këtë nismë të drejtë të Republikës së Kosovës.

Tani është koha që të mobilizojmë të gjitha burimet në këtë drejtim. Anëtarësimi ynë në KiE, i shërben demokracisë së gjithëmbarshme”, ka thënë Halimi.

Aplikimi nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë

Përfaqësuesit e partive opozitare janë shprehur të shqetësuar me veprime e qeverisë së Kosovës në këtë proces. Sipas tyre, po vërehet se aplikimi për anëtarësim nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar mos koordinimi me aleatët mund ta dështojë procesin e anëtarësimit.

“Aplikacioni për Këshillin e Evropës ka qenë gati. Për shkak të zhvillimeve në kontinentin tonë, me agresionin rus në Ukrainë, e rrjedhimisht përjashtimin e Rusisë nga KiE, është krijuar një mundësi e artë për ne. Krejt çka është dashur të bëjë qeveria është koordinim me aleatët strategjik. Pa koordinim me aleatët, procesi është i destinuar të dështojë”, është shprehur Çitaku.

Ndërsa, anëtarja e komisionit për punë të jashtme, Time Kadrijaj, ka thënë se edhe më herët përfaqësuesit e vendeve mike kanë këshilluar Kosovën që të mos bëhet aplikimi për koordinim.

“Ne më herët i kemi pasur edhe disa takime me zyrtarët e BE-së dhe ata na kanë thanë se çdo aplikim duhet të bëhet me vendet aleate. Sepse neve na nevojiten votat e tyre dhe përkrahja e tyre për të arritur sukses. Natyrisht se tani me përjashtimin e Rusisë prej KiE-së është krijuar një moment i mirë për neve, pra na lehtëson rrugën drejte anëtarësimit.

Por njëkohësisht kjo është dashur të bëhet me koordinim me aleatët dhe MPJ-ja është dashur të këtë një plan dinamik për të lobuar për këtë anëtarësim. Edhe ne kemi dëgjuar se nuk ka pasur koordinim me aleatët vetëm është aplikuar krye në vete”, ka thënë Kadrijaj.

Një ditë më parë, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Kosova nuk i ka dëgjuar këshillat e miqve kur ka aplikuar.

Në llogarinë e saj në “Twitter”, ajo ka shkruar se shumë partnerë e kanë ftuar Kosovën që të mos aplikojë pa i siguruar votat.

“Edhe pse shumë njerëz e mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ata të gjithë kanë këshilluar qeverinë që të presë për sa i përket dorëzimit të aplikacionit dhe të sigurohet që Kosova ka siguruar shumicën në Këshillin e Evropës. Pak a shumë të gjithë partnerët ndërkombëtarë e kanë thënë këtë”, ka shkruar Cramon.

Më 12 maj, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Lajme të ngjashme