Kurti kundër tërheqjes së Trustit, akuzon opozitën se është bërë bashkë me Listën Serbe për këtë temë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar iniciativën e opozitës për tërheqjen e Trustit prej 30 për qind.

Gjatë mbledhjes se sotme të Qeverisë, ai ka deklaruar se nuk duhet të lejohet që nisma e opozitës të miratohet në kuvend.

“Kjo nismë fatkeqësisht ka bërë që edhe deputetë nga LDK-ja dhe AAK-ja të rreshtohen prapa nismëtarit, mbase edhe prej premisave të ndryshme dhe arsyeve të llojllojshme, por me shpresa të njëjta. Objektivi është i njëjtë. Të gjitha këto subjekte e dinë se sa shumë e rrezikshme është për ardhmërinë e vendit lejimi i tërheqjeve të tilla, duan që ky propozim të mos kalojë, por shpresojnë që pas manipulimit të parë, ku besojnë se janë pozicionuar si mbrojtës të interesave të qytetarëve, do të kenë sukses edhe në manipulimin e dytë”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë me dije se për këtë nismë opozitës pritet t’i dalë në ndihmë edhe Lista Serbe.

“Pritet t’u dalë në ndihmë edhe Lista Serbe. Nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë mbështetjen edhe të Listës Serbe për propozimin e tyre dhe besoj që nuk duan të na bindin që kjo ndodhë qoftë për shkak të brengës së madhe të Listës Serbe për koston e jetesës së qytetarëve të vendit apo se kjo masë do t’i ndihmonte mbiproporcionalisht qytetarëve të komunitetit serb”, është shprehur Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka treguar se vetëm 8 për qind e llogarive në Fondin Pensional (Trusti) janë përfituesit kryesorë të propozimit për tërheqjen e kursimeve dhe se po manipulohet me propozimin e dërguar në Kuvendin e Kosovës.

“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, edhe pse gjysma e tyre joaktive, në Trustin Pensional të Kosovës, 90 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro. Kurse, 80 për qind e llogarive apo mbi 500 mijë kanë mesatarisht 1,100 euro në llogari”, ka thënë Kurti, duke treguar se kush do të përfitonte nga tërheqja e Trustit.

“Pjesa më e madhe, apo gjysma e kursimeve, janë të koncentruara në afërsisht 8 për qind, pra kanë gjysmën e mjeteve të akumuluara. Pra vetëm 1.2 për qind e bartësve të llogarive kanë 30-fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve që kanë llogari në Trust”, ka theksuar ai.

Sot edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar në lidhje më këtë çështje.

Ajo ka ftuar deputetët e Kosovës që të mbrojnë interesin afatgjatë të qytetarëve kur të vendosin në Kuvend për këtë temë.

“Ajo që dua t’i inkurajoj deputetët e Kosovës është që të marrin një vendim, i cili mbron interesat afatgjate të qytetarëve të Kosovës. Kjo është detyrë e të zgjedhurve të popullit”, ka thënë ajo gjatë një vizite që ka pasur në komunë e Pejës.

E para e vendit, nuk ka dashur të komentojë se çka konsideron mbrojtje të interesit të qytetarëve.

“Këto janë analiza që për momentin duhet të bëhen në Kuvendin e Kosovës pa ndërhyrje të institucioneve tjera”, është shprehur ajo.

Iniciator i kësaj nisme ka qenë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili në mars të këtij viti ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ndryshimin e Fondit Pensional të Kosovës, nga i cili do t'u mundësohet qytetarëve të Kosovës të tërheqin deri në 30 për qind të trustit të tyre.

Miratimi i këtij projektligji është përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK.

Iniciativa e opozitës është kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme