Ku është Arben Vitia? Pjesa II

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jetlir BUJA

Para nja dy muajsh e botova një opinion të titulluar “Ku është Arben Vitia?” e të cilin ia dedikoja një qytetari që i kishte marrë njëqind mijë vota në zgjedhjet e fundit. Tash që e mora vesh se ku është, ndiej obligim të informoj për ‘vendndodhjen’ e tij.

Prej 14 nëntorit 2021 kur e humbi garën për të parin e Prishtinës, Vitia mungoi plotësisht në sferën publike. Nuk mori pjesë në debate politike, nuk propozoi kurrfarë ideje, nuk shkruajti asgjë në Facebook, nuk bëri asgjë në shërbim të publikes. Megjithëse i mbante mbi supe njëqind mijë votat e lartpërmendura, kjo s’i bëri kurrfarë përshtypje, duke e përligjur bindjen se njerëzit poshtë Albinit ishin thjesht figurantë të tij.

Qytetari në fjalë nuk ishte bash-bash qytetar. Ai ishte e është më i barabartë se ne te tjerët. Edhe pse mori besimin qytetar – anipse formalisht nuk mund të bëhej më deputet pasi kishte hequr dorë nga mandati për t’u bërë ministër – ai vendosi t’i jepte vetes pushim të gjaaaatë. Një pushim katër-pesë mujor që e lakmon secili prej nesh, e që natyrisht se nuk do ta marrë asnjëherë. Besimi qytetar, sado i madh qoftë, s’kishte lidhje me përgjegjësinë e me shërbimin ndaj publikes por me privilegjet. Veç me privilegjet. Sipas mendjes së lodhtë të këtij qytetari të papërgjegjshëm.

Dhe tash na erdhi lajmi se ky person, Arben Vitia, është punësuar në një laborator privat të quajtur “Olive”, e për të cilën disa medie shkruajnë se ka marrë kontrata të rëndësishme gjatë kohës sa ai ishte ministër. Madje, në këtë laborator ai s’do të ketë çfarëdo pune, por do të jetë menaxher me një rrogë më të madhe se kryeministri i Kosovës.

Pra, vepra e papërgjegjshme e këtij qytetari me 100 mijë vota i dha atij një pushim të gjatë që s’i takonte dhe më pas edhe një rrogë të majme. Ajo mund të mos jetë e ndëshkueshme me ligj, por nuk meriton kurrfarë tolerance. Dhe, është bash toleranca ndaj akteve të tilla korruptive – që ndoshta s’quhen me letra korruptive – ajo që e bën një pushtet të korruptueshëm e korruptues.

Unë e di se 99% e njerëzve që e votuan Arben Vitinë, në fakt, e votuan si nënprodukt të Albin Kurtit. Por, megjithatë e votuan. E përveç që e votuan më 14 shkurt nga e mbarë Kosova, e votuan edhe më vonë nja 35 mijë të tjerë në Prishtinë më 17 tetor e nja 45 mijë më 14 nëntor kur garoi për kryetar të Prishtinës.

Pra, Vitia kërkoi e kërkoi besim për të kryer funksione publike. Dhe në të gjitha rastet i duhej pushimi e largimi. Dha dorëheqje si deputet për t’u bërë ministër. Dha dorëheqje si ministër për t’u bërë kandidat për kryetar të Prishtinës. Dhe, dha dorëheqje nga shërbimi publik ku mund të kryente punë thjesht si një zë tjetër në debatin publik, për t’u bërë menaxher në një laborator privat. Të gjitha këto dorëheqje e pushime brenda një viti të gjatë, që me shumë gjasë ai vetë e përshkruan si shumë të lodhshëm.

Çka mund të kuptojmë prej gjithë kësaj? I ashtuquajturi ‘ekip’ i Albin Kurtit, dorën në zemër, nuk ekziston. Kryeministri i Kosovës është i vetëm, tamam siç e përshkruajti veten, si “punëtor me hillt”. Dhe njerëzit jokompetentë të Kurtit (unë jam i bindur që Arben Vitia s’është i zoti për të qenë as menaxher i atij laboratori, e as i kurrfarë laboratori tjetër) të etur për privilegje e pushime e rroga të majme, mund t’i përmbledhim sot për sot bash te figura e Arben Vitisë.

E di që Kurti nuk ka dashur rreth vetes njerëz që i kthejnë fjalën. Por, në situatën aktuale në të cilën ndodhet, marrë parasysh punën spektakolare të dobët të njerëzve të tij, nuk mund të them se nuk ndiej dhembshuri. Sinqerisht!

Lajme të ngjashme