Kryeparlamentari Konjufca udhëton drejt Hagës, Nacionale mëson detaje nga agjenda

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, një vizitë tek të arrestuarit nga Gjykata Speciale tash do ta ketë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ky i fundit sot do të udhëtojë drejt Hagës, ku për dallim nga Haxhiu, do të takohet edhe me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ish-presidenti Thaçi e ish-kryetari i PDK-së, Veseli, tashmë ia kanë konfirmuar Konjufcës përgjigjen pozitive për takim. Veç tyre, kryeparlamentari do të takohet edhe me Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn e Pjetër Shalën. Kurse, për Salih Mustafën nuk dihet, pasi ndaj tij janë masa specifike për vizita, si pasojë e gjykimit që është në fazën finale.

Shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka bërë të ditur se bashkë me kryetarin e Kuvendit, do të qëndrojnë për tri ditë në Hagë. Sipas Kërçelit, takimet do të zhvillohen në dy ditë të ndara.

“Tri ditë do të jemi atje, sepse vizitat janë në dy ditë të ndara”, ka thënë Kërçeli për Nacionalen.

Megjithatë, veç të akuzuarve nga Gjykata Speciale, kryeparlamentari ka pak gjasa të takohet me ndonjë përfaqësues të gjykatës. Kështu ka konfirmuar të paktën shefi i kabinetit, Kërçeli.

“Në këtë rast as nuk kemi bërë kërkesë, e as nuk është menduar njëherë, pa i vizituar të burgosurit”, ka thënë shefi i kabinetit të Konjufcës.

Se nuk ka ndonjë agjendë me udhëheqësit e Gjykatës Speciale, e kanë konfirmuar edhe vetë këta të fundit për gazetën.

“Ne nuk jemi në dijeni për orarin e z.Konjufca gjatë kohës që ai do të jetë në Hagë”, kanë thënë për gazetën Nacionale nga Gjykata Speciale.

Përgjatë vizitave të kaluara, dilemat kanë qenë nëse vizitat e krerëve të shtetit nga Kosova, iu merren nga koha e vizitave familjare të akuzuarve nga Specialja.

Madje, një gjë të tillë e kishte thënë edhe vetë Nasim Haradinaj kur kishte folur në seancë për vizitën e Avokatit të Popullit të Kosovës. “Kur ka ardhë avokati i popullit tuaj, e keni llogaritur vizitë zyrtare. E vizitën e avokatit të popullit tim, e keni shkruar si personale”, kishte thënë ai.

E duket se situatë e ngjashme do të jetë edhe me vizitën e Konjufcës. Kështu të paktën është lënë të nënkuptohet nga vetë përgjigja e Gjykatës Speciale.

“Udhëzuesi mbi Vizitat bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe special. Vizitat special përfshijnë ato nga Ombuspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e ndonjë gjyqtari, sekretarit ose anëtarëve të stafit. Për sa i përket procedurës se si kërkohet vizita për një ose më shumë të paraburgosur, të gjitha vizitat e tjera trajtohen si vizita personale. Nëse një visitor është duke vizituar në një funksion personal ose zyrtar, varet nga ai”, bëhet e ditur në përgjigjen e Speciales për gazetën Nacionale.

Para disa ditësh, Konjufca tha se Specialja po ua shkel të drejtat ish-krerëve të UÇK’së.

“Shkojmë si institucione që përfaqësojmë republikën tonë. Shkojmë që të shohim si trajtohen. Duket qartë se në disa aspekte ata apo shkelin të drejtat e tyre. Ata po i afrohen kohës 2-vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë. Nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, ka deklaruar Konjufca

Kryetari i Kuvendit bëhet zyrtari i parë i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, që pranohet në takim nga të gjithë të arrestuarit në Hagë.

Njësoj nuk kishte ndodhur kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte qëndruar në Hagë. Atë e kishin refuzur Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Lajme të ngjashme