Kjo është rruga deri te heqja e vizave për Kosovën

1 javë më parë

nga NACIONALE

Samiti i BE-së që do të mbahet sot dhe nesër në Bruksel ka shtuar pritjet tek qytetarët e Kosovës rreth liberalizimit të vizave. Mirëpo njohësit e integrimeve evropiane janë shprehur skeptik se një gjë e tillë mund të ndodh. Sipas tyre, në këtë samit vetëm mund shprehet vullneti politik për procesin. Kjo shprehje e vullnetit politik do të shtynte lëvizjen një numër të hapave ligjor drejt konkretizimit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pas rekomandimit të Komisionit të Evropian, hapi i radhës për t’i hequr Kosovës regjimin e vizave, do të ishte votimi i ambasadorëve të BE-së për liberalizim të vizave.

Më pas, institucionet e BE-së duhet të ndryshojnë Rregulloren 2018/1806 e cila përcakton se cilat shtetet mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

Për të ndryshuar rregullorja ajo duhet kaluar nëpër një proces joformal negocimi (trialogu) në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Pas përfundimit të procesit joformal, rregullorja duhet miratuar formalisht në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka vlerësuar për Nacionalen drejtori i institutit Epik, Demush Shasha.

Ai ka treguar se kjo procedurë nuk është e shkurtër.

Historikisht shpejtësia më rekorde e konsumimit të kësaj procedure vendimmarrjeje ishte shtatë muaj në rastin e Gjeorgjisë. Pra, kjo është procedura e paevitueshme nëpër të cilën duhet të kaloj liberalizimi i vizave për Kosovën, ndërsa është realiste që procedura të merr nga gjashtë deri nëntë muaj nga momenti i shprehjes së vullnetit politik në nivelin e Këshillit Evropian”, ka thënë Shasha.

Skeptik për procesin

Njohësit e proceseve integrues janë shprehur skeptik rreth pritjeve të Samitit të BE-së.

Profesori i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se nuk do të ketë vendim për liberalizim të vizave në samitin e sotëm të BE-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se BE-ja është një gitare e ç’akorduar, pa melodi dhe pa lezet .

Le të mos i ftofin shampanjat kosovarët sot! Liberalizim vizash nuk do ketë; sepse Unioni Evropian, ashtu siç është krijuar si një fuqi zori e barutit të L2B, ashtu funksionon dhe sot: si një gitare e ç’akorduar, pa melodi e pa lezet”, ka shkuar Qorrolli.

Edhe drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, ka thënë se në këtë samit nuk do të ndonjë vendim për liberalizim të vizave. “Duhet bërë të qartë se në këtë samit nuk do të këtë asnjë vendim për liberalizimin e vizave. Maksimumi që mund të ketë është shprehja e vullnetit politik. Kjo shprehje e vullnetit politik pastaj do të vendoste në lëvizje një numër të hapave ligjor që janë para nesh për të siguruar liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai për Nacionalen.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para hyrjes në Samitin BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk ka dashur të komentoj shumë për këtë çështje. “Ne sigurisht se shpresojmë. Megjithatë, nuk dua që t’i rris pritjet në këtë kohë, sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave para katër viteve. U jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të vendeve anëtare dhe tash është koha që vendet anëtare ta përkrahin vërtet procesin, sepse është padrejtësi e madhe ndaj popullit të Kosovës.”, ka thënë Osmani.

Para këtij samiti, edhe Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian, ka kërkuar që të iu hiqen vizat qytetarëve të Kosovës.

Lajme të ngjashme