Edhe Albin Kurti ‘zvogëloi lukthin’ në Amerikë: Çka na dëshmoi vizita e tij e gjatë? - NACIONALE

Edhe Albin Kurti ‘zvogëloi lukthin’ në Amerikë: Çka na dëshmoi vizita e tij e gjatë?

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës pritet ta përfundojë vizitën e tij të gjatë në Amerikë gjatë ditës së sotme. Nju Jorku besohet se është destinacioni i fundit në shtetin më aleat të Kosovës. Por, çka na dëshmoi ky udhëtim i gjatë, përtej asaj që kryeministri mund ta kalonte oqeanin?

Fakti që Kurti udhëtoi drejt ShBA-ve definitivisht e dëshmon se ai kishte vizë, kishte pasaportë, çertifikatë të lindjes e kështu me radhë. Por, a mjafton një gjë e tillë?

Kurti është nisur në ShBA më 6 maj, pra gjashtëmbëdhjetë ditë më parë, dhe pritjet e secilit prej nesh ishin të mëdha.

8 muaj pritje për ‘asgjë’

Kurti ishte pyetur në lidhje me mundësinë që të vizitonte ShBA-të qysh në vjeshtën e vitit të kaluar. Ai kishte dhënë si datë të mundshme për udhëtim muajin nëntor (2021) fillimisht. Kur nëntori kishte ardhur, Kurti kishte përmendur “fillimin e janarit”. Më pas, ishte përmendur pranvera e hershme. Dhe në fund, u nis më 6 maj, ose gjashtëmbëdhjetë ditë më parë.

Sa herë që ishte diskutuar për vizitën e Kurtit në ShBA, nuk ishte menduar asnjëherë mundësia që kjo vizitë të kishte një agjendë të tillë.

Nisja e Kurtit nënkuptoi vetiu edhe pritjen për takime të rëndësishme politike, por kështu nuk ndodhi.

Është kryeministër, jo qytetar privat

Për fat të keq, kryeministër Kurti nuk ka arritur të ketë takime të rëndësishme politike. Ai nuk është takuar as me mikun e madh të Kosovës, presidentin Joe Biden. As me Sekretarin e Shtetit, z. Antony Blinken. Por as me zv. Presidenten Kamala Harris, takim që u spekulua se mund të ndodhte nga medie të caktuara në Kosovë.

Përkundër qëndrimeve të ndryshme e ndryshueshme politike, Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe jo thjesht qytetar privat.

Kosova – siç mund ta dini - është shtet mik i ShBA-ve. I vetmi shtet përveç Guatemalës që ka ndjekur Amerikën duke e vendosur në Jerusalem ambasadën në Izrael. Kosova është ndër shtetet më pro-amerikane në botë. Respektuese e vlerave të demokracisë dhe lirisë. Denoncuese e përditshme e agresionit rus në Ukrainë, madje edhe nga pushteti aktual. E kështu me radhë.

Mos-pranimi në asnjë takim të rëndësishëm përbën një lajm të keq për Kosovën, mirëpo jo aq për kryeministrin Kurti. Ky i fundit – me shumë gjasë – do ta cilësojë si “të suksesshme” apo “shumë të suksesshme” këtë vizitë. Ai madje përdori cilësorin "më e gjata" qysh nga Amerika për t'i folur publikut kosovar.

Ndërkohë që tashmë vartësit e tij kanë nisur të përdorin një fjalor me fjalë gjithnjë e më subjektive që përfshijnë “ëndrrën”, “përjetimin” dhe të ngjashme. Opozita, në anën tjetër, nuk do të arrijë të përndris qytetarët në lidhje me pasojat e kësaj vizite pa rezultate.

Sidoqoftë, vizita e Kurtit në Amerikë mund të na thotë se edhe ai “ka zvogëluar lukthin” veçse jo si presidentja Osmani. Këtë herë është fjala për “lukthin politik”. Takimi i djeshëm me Ted Cruzin, senatorin republikan të përbuzur nga e majta, e bën kryeministrin të duket edhe më pak pasionant për qëndrimet e dikurshme.

Domethëniet

Do të jetë e vështirë të garohet me Kurtin në debatet e brendshme politike pas kthimit të tij nga Amerika. Ai do të flas për thithje të investimeve të jashtme direkte - që nuk dihet nëse do të vijnë - ndërkohë që opozita për mungesën e takimeve të rëndësishme.

Por, marrëdhëniet me ShBA-në për kohë të gjatë janë konsideruar si 'thembra e Akilit' për Qeverinë Kurti. Kryeministri e kishte pranuar publikisht se administrata e kaluar amerikane kishte pasur rol të rëndësishëm në rrëzimin e tij nga pushteti gjatë kohës së Qeverisë Kurti I. Pikërisht për këtë arsye, ai duhet të dalë përtej fjalëve subjektive që janë thënë nga vartësit e tij dhe përtej "gjatësisë" si mbiemër.

Rëndësia e raporteve të mira me ShBA-të është e kuptueshme shumë lehtësisht.

Skënder Hyseni, një prej diplomatëve më me përvojë që ka Kosova (opozitar) u shpreh në këtë formë për raportet tona aktuale me Amerikën për gazetën Nacionale: "[Marrëdhëniet janë] Të ftohura, si pasojë e sjelljes infantile dhe pa takt të kësaj qeverie në politikën e jashtme përgjithësisht, e sidomos në raport me urgjencën e dialogut me Serbinë."

Lajme të ngjashme