Dita e 21-të e Kurtit larg Kosovës: "E pazakontë të mungojë kaq gjatë kryeministri"

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Fiks 21 ditë po bëhen prej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron jashtë Kosovës. Prej 6 majit kur filloi vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA], Kurti nuk është kthyer në Kosovë. Ai aktualisht po qëndron në Zvicër, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet atje.

E qëndrimi i tij kaq i gjatë jashtë vendit, po duket i pazakontë nga shoqëria civile pasi vendi po ballafaqohet me disa kriza e me protesta dhe pakënqësi.

E analistët politik të tjerë, janë dyshues për të mirat që mund të arrihen nga vizitat e Kurtit në SHBA dhe në Zvicër.

“E pazakontë të mungojë kaq gjatë kryeministri”

Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, po e sheh si të pazakontë qëndrimin e gjatë të Kurtit jashtë Kosovës.

Është e pazakontë që të mungojë një kohë kaq të gjatë kryeministri në Kosovë, aq më tepër duke pasur parasysh në çfarë krizash po kalon vendi. Çështja tjetër është që edhe kur është kryeministri këtu, nuk po e shohim një intensitet angazhimi të qeverisë për t'i adresuar çështjet urgjente që po prodhohen nga kriza ekonomike, sociale, mungesës së ushqimit, energjisë, e kështu me radhë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ymeri ka thënë se edhe nëse Kurti është në Kosovë, ai nuk po merret me çështjet urgjente që po shtrohen nga qytetarët.

Kritika duhet të bëhet në të dyja rrafshet. Një po që po mungon këtu dhe e dyta edhe kur po është këtu a po merren me çështjet që po ballafaqohen qytetarët e vendit për ditë”, ka thënë Ymeri.

“Kurti nuk ka arritur të imponohet në listën e funksionareve të lartë amerikanë”

Studiuesi i politikës, Dorajet Imeri, ka treguar se çka mund të pritet nga vizitat e Kurtit, duke thënë se është skeptik për rezultatet që mund të arrihen

Sipas tij, vizita e Kurtit nuk shenjon vetëm pafuqinë e Kurtit, por rrjedhshëm edhe mosfunksionim të përgjithshëm të diplomacisë kosovare në përgjithësi.

"Vizita e Kryeministrit Kurti në SHBA duhet të shihet në disa aspekte, për të prodhuar një përfundim shumështresor. Fillimisht, kjo vizitë nga perspektiva e diskursit të politikës ditore kosovare, është parë si matje e raportit që Kurti ka me Shtetet e Bashkuara, saqë vonimi i realizimit të saj është parë edhe si një refuzim që shteti amerikan ka ndaj tij", ka thënë për Nacionalen politologu Imeri.

Së dyti, këtë vizitë duhet ta shohim edhe nga një perspektivë tjetër, ajo e agjendës, ku vërehet se Kurti nuk ka arritur të imponohet në listën e funksionarëve të lartë amerikanë, saqë kjo mund të jetë edhe njësia me e mirë matëse e kësaj vizite. Por, kjo është edhe një tregues tjetër, ku përfshihen disa struktura politike, nga ato qeveritare deri te grupet lobuese, që tregon se as një dhe as tjetra nuk janë duke funksionuar si duhet, ndërsa diplomacia pa to, mbetet e parealizueshme", ka thënë Imeri për Nacionale.

Ndërkohë, një ndër kritikët e Qeverisjes së Kurtit, Petrit Zogaj, vizitën e tij në SHBA e ka quajur një “sorollatje të keqe”.

"Kryeministri i Kosovës po e lë Amerikën nga vizita e tij 16-ditore, pa e taku asnjë anëtar të kabinetit te presidentit Biden. Asnjë. Zero", shkroi ai, duke vënë në pah mungesën e dukshme të takimeve me figura të shquara të politikës.

Më tutje, ai listoi një numër institucionesh, mbase të dorës së dytë, takimi me të cilat mungoi po ashtu.

Nuk e pritën as në departamentin e shtetit, ku ka të caktuar një të dërguar special për Ballkanin. Nuk e pritën as në departamentin e mbrojtjes, ku kanë trupa në Kosovë, e ku kemi një grup punues për anëtarësim në NATO dhe ku po kërkojmë që US të ketë një bazë të përhershme të trupave në Kosovë”, ka thënë Zogaj.

Kujotjmë se Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos.

Ai të mërkurën u pa bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe udhëheqës të tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka zhvilluar edhe disa vizita në kompani të ndryshme në Zvicër.

Lajme të ngjashme