Ambasadori u bë shofer i Kurtit: Eksperti i protokollit thotë se u shkel me protokoll e me imazh

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Në vizitën e kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikush po duket se po ushtron më shumë detyra sesa që i ka të përcaktuara me ligj.

Bëhet fjalë për ambasadorin e Kosovës në SHBA, Ilir Dugollin, i cili gjatë ditës së djeshme u pa se po e ushtronte edhe detyrën e shoferit të kryeministrit Kurti atje.

Do të thotë që nuk është siç jemi mësuar zakonshëm të shohim të gjithë protokollin e një kryeministri në vizitë, secili duke qenë në krye të detyrës. Kësaj radhe një gjë e tillë nuk u pa.

Por, nëse një ambasador e kryen edhe detyrën e shoferit, është shkelje e protokollit, madje edhe e imazhit, thotë njohësi i çështjes së protokollit, Tomor Avdija, për Nacionalen.

“Kjo është shkelje jo veç e protokollit, por edhe e imazhit. Është imazh i keq edhe për ambasadorin edhe për përfaqësimin që e bën atje ambasadori, sepse ambasadori nuk mund ta bëjë punën e shoferit. Ambasadori e ka të ndaluar ligjërisht me e përdorë automjetin vetë si shofer”, tha Avdija.

Madje, sipas Tomorit, një ambasador nuk duhet të vozisë as jashtë detyrës së tij zyrtare.

“Edhe atëherë kur nuk është në detyrë zyrtare, nuk lejohet me vozitë vetë ambasadori. Duhet ta bëjë tjetërkush, p.sh. ndonjë familjar i cili është me të”, shtoi njohësi i çështjes së protokollit.

E një detyrë shtesë jodiplomatike e kishte ushtruar edhe ambasadorja e Kosovës në Panama, Heroina Telaku.

Ambasadorja gjatë vizitës së presidentes Vjosa Osmani në këtë shtet kishte shërbyer edhe si asistente e të parës së vendit.

Telaku ia kishte mbajtur çadrën presidentes gjatë zbulimit të shtatores së Shën Terezës.

Lajme të ngjashme