Reuters: Scholz-i në Prishtinë, aplikuesve për vizë u nevojiten javë ose muaj vetëm për të caktuar termin për vizë - NACIONALE

Reuters: Scholz-i në Prishtinë, aplikuesve për vizë u nevojiten javë ose muaj vetëm për të caktuar termin për vizë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, premtoi se do ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor për ta gjallëruar fushatën e ngecur për kohë të gjatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, lëvizje që i ka për qëllim uljen e tensioneve rajonale dhe shmangien e ndikimit të fuqive rivale si Rusia.

Reuters

Duke folur pranë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë në fillimin e një udhëtimi dyditor, Scholz-i tha se qeveria e tij e ka bërë prioritet anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe se do ta përkrahë edhe synimin e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar ndjenjë të re urgjence për nevojën që Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia Veriore dhe Bosnja e Hercegovina të jenë më afër BE-së 27-anëtarëshe, qoftë përmes anëtarësimit të plotë, qoftë përmes një komuniteti alternativ.

“Është shumë e rëndësishme që të dërgohet një sinjal i ri i besimit dhe shpresës se ky proces i pranimit dëshirohet nga BE-ja me seriozitet të madh dhe se kjo gjithashtu ka mundësi realiste, nëse të gjithë bëjnë përpjekje”, tha kancelari gjerman.

Ukraina dhe Moldavia kanë bërë përpjekje që t’i përshpejtojnë lëvizjet e tyre për anëtarësim në BE që nga fillimi i luftës, duke ngritur pyetje nëse pranim i tyre duhet të bëhet në mënyrë të shpejtë ose nëse duhet ta presin radhën pas vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Disa vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, kanë thënë se nuk mund të ketë rrugë më të shkurtra për anëtarësimin e Ukrainës.

“Ne gjithashtu jemi në favor të anëtarësimit të Ukrainës në BE. Natyrisht, Ukraina e ka tërë vëmendjen dhe është në zemrat e secilit që dëshiron paqe dhe demokraci, sepse atje po zhvillohet një luftë e tmerrshme, një luftë e paprovokuar dhe e pajustifikuar”, tha Kurti.

“Por unë besoj se duhet të jenë të dyja (për t’u anëtarësuar në BE), Ukraina dhe Ballkani Perëndimor”, shtoi ai.

Vizita e Scholz-it vjen menjëherë pas asaj të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe para samitit mes udhëheqësve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor më 23 qershor.

Perspektiva e anëtarësimit në BE ka qenë me vite shtytja kryesore e reformave dhe e bashkëpunimit në rajon pas një dekade me luftëra e trazira në vitet e nëntëdhjeta, derisa zgjerimi i BE-së ngeci, duke mbjellë zhgënjim.

Liberalizimi i vizave do të ishte përfitim për Kosovën, që mbetet shteti i vetëm në Ballkan ku qytetarët e saj ende kanë nevojë për vizë që të udhëtojnë në zonën “Schengen”. Një aplikuesi për vizë i nevojiten javë ose muaj vetëm për të caktuar termin në ambasadë.

Pas vizitës në Kosovë, kancelari gjerman do të shkojë në Serbi, ndërsa të shtunën do të udhëtojë për në Maqedoni të Veriut dhe Bullgari, vende që kanë një mosmarrëveshje që po e bllokon fillimin e bisedimeve për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Përktheu: Nasuf Abdyli, Nacionale

Lajme të ngjashme