Ngjarjet e kësaj jave që mund të mbeten në mbamendjen tuaj në vitet e ardhshme - NACIONALE

Ngjarjet e kësaj jave që mund të mbeten në mbamendjen tuaj në vitet e ardhshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më poshtë keni ngjarjet e kësaj jave që ka shumë mundësi të ngjiten brenda kujtesës tuaj për t'u kujtuar në disa vitet e ardhshme.

Në rrjetet shoqërore të Internetit, në hapësirën shqipfolëse të saj, ekziston pretendimi se një skandal, çfarëdo skandali, nuk mund të mbijetojë më shumë se tri ditë në memorjet e shqiptarëve të Kosovës. Por, ja që gazeta Nacionale e theu këtë ‘ligj fizike’, pasi skandali me ryshfet në Ministrinë e Infrastrukturës mbijetoi për më shumë se një javë.

Skandali i Liburn Aliut

Afera “Jaranat e Liburnit” ishte publikuar më 1 qershor, dhe vazhdoi të përflitej në gjithë javën që po e lëmë pas.

Ishte zv.ministri Hysen Durmishi i cili gjatë një emisioni televiziv ku i ftuar ishte gazetari Berat Buzhala, përveç që pranoi se përgjimet ishin të vërteta dhe se skandali kishte ndodhur, pranoi edhe se njihte pronarin e një kompanie (Bageri) të cilës i ishin dhënë punë për t’u kryer nga ministria që i përkiste.

Pikërisht gjatë javës së fundit, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pranoi informatën për konflikt interesi në rastin e punësimit të këshilltarit financiar të ministrit Liburn Aliut, z. Florent Ramqaj, i cili tashmë dihet se kishte lidhje familjare me kompanitë (Alfa I dhe Infratek) që merrnin punë e konkurronin nëpër tenderet e kësaj ministrie.

Për çudi – e për pazare të cilat ne e kemi të vështirë t’i kuptojmë – kishte një prishje goxha të madhe mes influencerëve të Vetëvendosjes që ndodhi po këtë javë. Ishte Blendi Zymi kundër Mentor Llugaliut. Dhe të dy – në mes ishte mbrojtja ose sulmi ndaj Hysen Durmishit – nisën të flisnin për përfitimet që kishin pasur apo kishin pritur nga pushteti i Vetëvendosjes.

Nacionale ka raportuar gjatë kësaj jave edhe për dyshimet se Liburn Aliu e ka përfituar pa rend kompensimin si ish i burgosur politik. Aliu - që kishte rënë në burg në vitin 1997 - kishte marrë pensionin përkundër që shumë ish të burgosur të tjerë që kishin rënë në burg më herët nuk e kishin marrë ende.

Parada e Krenarisë

Gjatë kësaj jave u organizua edhe Parada e Krenarisë. Kryeqyteti u elektrizua edhe një herë tjetër nga komuniteti LGBTIQ që avokonte për të drejtat dhe liritë që i përkisnin. Dashuria mbi të gjitha. Mes pjesëmarrësve ishte ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, por edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Sidoqoftë, përsëri mungesë pa arsye iu shënua kryeministrit Albin Kurti. Ai kishte një takim ‘të rëndësishëm’ me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomasz Szunyog, por i cili – për habi – ishte i pranishëm në protestë.

“Nuk mund ta klonojmë kryeministrit,”i tha Nacionales, ministrja Haxhiu. Por, si kishte mundur ta klononte z. Szunyog BE-ja?

Në paradë mungoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu që ishte e pranishme në një samit në Greqi.

Po ashtu, pjesë e Paradës së Krenarisë nuk u bënë as gylenistët që dy ditë më herët kishin promovuar në Prishtinë një libër që e glorofikonte jetën e njeriut që akuzohet nga Turqia për terrorizëm, Fethullah Gulenit.

Kancelari Scholz në Kosovë

Më 10 qershor, kancelari i ri i Gjermanisë Olaf Scholz mbërriti në Prishtinë. Ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por dështoi të jepte ndonjë mesazh që do të mbetej në mbamendjen tonë.

Scholz ripërsëriti angazhimin e Republikës Federale të Gjermanisë për demokracinë në Kosovë, derisa u falenderua për një gjë të tillë nga kryeministri i Kosovës.

Këtij të fundit iu tematizua sërish qeraja e lirë e shtëpisë në lagjen Taslixhe, e për të cilën Nacionalja informoi edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit të cilët presim që të merren me rastin.

Panairi i librit

Panairi i Librit u rikthye edhe një herë në Kosovë pas dy vitesh mungesë. Përsëri, shumë pak botime të reja në një anë dhe çmime paarsyeshmërisht të larta në tjetrën.

Glauk Konjufca – kryekuvendar – ia doli të bëhej kryetemë panairi duke i promovuar dy libra që kishin të bënin me kinematografinë.

Kombëtarja e Albinit

Kombëtarja e Kosovës gjatë kësaj jave i luajti dy ndeshje. Së pari, u mposht nga Greqia në stadiumin Fadil Vokrri dhe së dyti fitoi 3-2 ndaj Irlandës së Veriut.

Në takimin e dytë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Prania e tij në stadium, dhe madje gëzimet e tij si një tifoz i zjarrtë, përsëri zunë vend në rrjete shoqërore duke habitur secilin për shkak të qëndrimeve të tij të mëparshme.

Pas fundit të ndeshjes, Kurti madje edhe analizoi lojën duke u shprehur i befasuar me pasimet shumë precize të kombëtares tonë. Ai tha edhe se do ta shikonte reprizën e kësaj ndeshjeje, duke treguar se sa shumë kohë kishte përkundër pozitës së rëndësishme që mbante.

Ballkani i mbyllur

Edhe një samit tjetër u mbajt gjatë kësaj jave në Ohër të Maqedonisë për Ballkanin e Hapur. Të pranishme ishin të pestë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës.

Pala kosovare vazhdon të jetë e mbyllur ndaj nismës rajonale në fjalë, përkundër që ndaj saj tashmë janë hapur edhe Mali i Zi me Bosnjen.

Pozicioni i keq në të cilin ka mbetur Kosova ndoshta i shkaktoi dhimbje shumë të madhe zv.kryeministrit Besnik Bislimi, që shpërndau një postim ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u quajt “pro-serb”.

Ky i fundit e pësoi edhe më keq në një fotografi të shpërndarë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila e preu përgjysmë fytyrën e tij.

Për fat të keq, edhe opozita e vendit nuk është treguar konstruktive në raport me Ballkanin e Hapur deri tash.

Veteranët protestojnë

Veteranët e luftës së UÇK-së gjetën kohë të protestonin para Kuvendit të Kosovës për mos-përfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

Përsëri, e gjithë çështja u politizua pasi veteranët u lidhën me partitë e dala nga lufta, e madje anëtari i Vetëvendosjes Sadri Ramabaja e quajti protestën e tyre edhe si përpjekje për “puç”.

Ligji për Pagën Minimale nuk kaloi, dhe veteranët kanë ende shpresë se do të marrin nga 250 euro e jo nga 170 në muajt që vijnë.

Ishte deputeti i VV-së, Fatmir Humolli, ai që haptas e publikisht e bëri të qartë pakënaqësinë e tij me Vetëvendosjen dhe veçanërisht ministrin Hekuran Murati në lidhje me trajtimin që u kishte bërë veteranëve të UÇK-së.

Moti

Moti i kësaj jave ka qenë jashtëzakonisht i brishtë. Për fat të keq, era e fortë bëri që një lis të rrëzohej me përdhunë në kryeqytet dhe t’i merrte jetën një qytetari të ri, 30 vjeçar.

Reshjet, stuhitë, vetëtimat e erërat e forta vazhduan përgjatë gjithë ditëve të mbetura të javës, derisa autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje që të rritet siguria personale e qytetarëve.

Lajme të ngjashme