Vrasja e Zawahirit ishte dramë e Bidenit për popullaritet, por mund të ketë pasoja të paqëllimshme - NACIONALE

Vrasja e Zawahirit ishte dramë e Bidenit për popullaritet, por mund të ketë pasoja të paqëllimshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një dekadë pasi marinsat amerikanë e vranë Osama bin Ladenin në një operacion special në Pakistan, Ayman al-Zawahiri u vra nga një sulm amerikan me dron në Kabul.

Hameed Hakimi

Të dy këta burra ishin sinonim i imazhit të al-Qaeda-s. Por më shumë se gjithçka, vrasja e Zawahirit është një sukses simbolik për Joe Bidenin, përkrahja për të cilin ka qenë dëshpërimisht e ulët rishtazi. Edhe pas tërheqjes fatkeqe ushtarake nga Afganistani, që çoi tek ardhja e talibanëve në pushtet, presidenti amerikan ka qenë duke u munduar fuqishëm që ta shmangë diskutimin për këtë vend në kontaktet e tij me mediet. Jo befasisht, ai tash po mundohet që të ndërtojë kapital nga sulmi me dron, me të cilin u vra Zawahiri, që të kërkojë shpëtim në Afganistan.

Përderisa Zawahiri ishte i përfshirë në planifikimin e sulmeve të 11 shtatorit, rëndësia e tij më e vonë është më e diskutueshme. Al-Qaeda mund të jetë njëra nga grupet xhihadiste më famëkeqe globale që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, por ajo ka qenë duke garuar në një hapësirë të ngarkuar të ekstremistëve të dhunshëm, përfshirë ISIS-in – dhe degët e tij – në Lindje të Mesme, Azi e më tutje.

Vdekja e Zawahirit nuk do ta ndryshojë natyrën e ndonjë kërcënimi me të cilin ballafaqohen Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nga Afganistani gjatë pushtetit të talibanëve. Por ajo thekson se sa urgjente është që të garantohet që Afganistani nuk bëhet aq i paqëndrueshëm dhe i harruar, saqë të ofrojë terren për inkubacion të terrorizmit dhe të xhihadistëve të dhunshëm. Grupet si al-Qaeda, Shteti Islamik dhe më parë talibanët janë eksperte për zëvendësimin e udhëheqësve në varg të shpejtë, pa i penguar operacionet.

Në mënyrë vendimtare, vrasja e Zawahirit lëshon disa pasoja të panjohura dhe ndërlikime politike e të sigurisë për palë të ndryshme të konfliktit në Afganistan dhe përreth tij.

Me muaj ka pasur raportime të pakonfirmuara për dronë që fluturonin në qiellin mbi Kabul. Talibanët e kanë paraqitur regjimin e tij si të parin në dekada që ka kontroll të plotë në territorin afgan. Sulmi amerikan me dron, me të cilin u vra Zawahiri në distriktin Shirpur të Kabulit – ku ishin ndërtuar disa nga shtëpitë më luksoze nga ish-komandantët ushtarakë të përkrahur nga ShBA-ja – i rrëzon pretendimet e talibanëve se kanë kontroll të plotë territorial. Në marrëveshjen mes ShBA-së dhe talibanëve, të nënshkruar në Doha në shkurt të vitit 2020, thuhet se talibanët “nuk do të lejojnë asnjë anëtar të tyre, individë ose grupe të tjera, përfshirë al-Qaeda-n, që ta përdorë tokën e tyre në Afganistan për ta kërcënuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”. Pranimi i pranisë së Zawahirit në Kabul do t’i vendosë talibanët kundër ShBA-së, por pranimi i mungesës së inteligjencës do të çojë te pranimi i humbjes për vendosjen e kontrollit.

Pasi talibanët janë kryesisht bashkësi e çlirët e grupeve të ndryshme, që ishin bashkuar fuqishëm si kryengritje para gushtit të vitit 2021, është e besueshme që një ose më shumë grupe në mesin e tyre ishin duke e strehuar dhe duke e mbrojtur Zawahirin. Vdekja e tij do të vendosë presion të konsiderueshëm mbi këto çarje, sidomos nëse ShBA-ja i vazhdon sulmet me dronë në Afganistan.

Për shkak se Afganistani nuk ka dalje në det, operacionet e dukshme të dronëve amerikanë do të duhej të kishin leje nga njëri nga shtetet fqinje për të hyrë në hapësirën ajrore afgane. Irani, shtetet e Azisë Qendrore dhe Kina – që ka kufi malor me Afganistanin – nuk do të bashkëpunonin me ShBA-në për këtë gjë. Prandaj, Pakistani do të ishte opsion logjik. Nëse ky sulm i ShBA-së është kryer në bashkëpunim me Pakistanin, janë disa ndërlikime të mëdha rajonale. Pakistani ka raporte të fuqishme me Kinën, përfshirë projektin infrastrukturor shumëmiliardësh, Korridori Ekonomik Kinë – Pakistan. Për gati 20 vjet, Pakistani u ka ofruar talibanëve strehë përderisa grupi po zhvillonte një kryengritje të përgjakshme kundër ShBA-së, NATO-s dhe forcave afgane të sigurisë, në të cilën, gjithashtu, u vranë dhjetëra mijëra civilë afganë. Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, e festoi kthimin e talibanëve në pushtet në gusht të vitit 2021 dhe e fajësoi ShBA-në për një luftë të pamatur ndaj terrorit. Por Khan-i u rrëzua nga pushteti përmes mocionit të mosbesimit në prill.

Bashkëpunimi pakistanezo-amerikan për operacionet kundër terrorizmit në Afganistan do të theksonte një ngrohje të konsiderueshme të raporteve. Kjo mund të ndikojë në përpjekjet e Islamabadit për të ndërtuar marrëdhënie të mëtejme me Kinën dhe Rusinë. Sidoqoftë, Pakistani ka qenë duke u ballafaquar me vështirësi të pafundme financiare, me rritje të inflacionit e rënie të vlerës së valutës shtetërore. Islamabadi ka qenë duke u përpjekur dëshpërimisht që të fitojë përkrahje nga Uashingtoni, duke e llogaritur edhe përfshirjen e komandantit të ushtrisë për të siguruar një pako huaje multimiliardëshe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Duke bashkëpunuar për kundërterrorizmin me ShBA-në, Pakistani do të priste në mënyrë të natyrshme përkrahje amerikane përtej bashkëpunimit ushtarak, përfshirë sigurimin e pakove financiare.

Është shumë herët që të parashikohen rezultatet e sakta në Afganistan dhe në rajon nga ky incident. Por duket se ShBA-ja ka dhënë sinjal se mund të mbizotërojë në qiellin e Afganistanit dhe se është e gatshme që të veprojë. Duke e dëshmuar këtë, ata mund të sulmojmë me saktësi të tillë, saqë CIA dhe agjencitë e tjera amerikane do t’i detyrojnë xhihadistët e tjerë që të futen nën tokë. Grupet e talibanëve që nuk e gëzojnë përkrahjen e plotë të udhëheqësisë së sektorit të sigurisë në Pakistan, gjithashtu do të jenë të shqetësuara për bashkëpunimin e përtërirë ShBA – Pakistan për sulmet me dronë brenda Afganistanit.

Mbetet të shihet, nëse kërcënimi nga sulmet amerikane me dronë do të përdoret si levë për të ndikuar në sjelljen e talibanëve. Fuqia ushtarake nuk e mposhti kryengritjen e talibanëve, por talibanët nuk fituan ushtarakisht, gjithashtu. Në fund të fundit, për tërë fjalët për përfundimin e “luftës së përjetshme” në Afganistan, administrata e Bidenit duhet të pranojë se përfshirja 20-vjeçare amerikane në Afganistan e ka ndryshuar rrënjësisht natyrën e vendit dhe të rajonit të tij. ShBA-ja dhe Perëndimi duhet të përqendrohen në angazhim afatgjatë me Afganistanin, nëse qëllimi është që të parandalohet inkubacioni i grupeve terroriste dhe xhihadistëve globalë.

Autori i shkrimit është anëtar i Këshillit të Atlantikut në Uashington. Artikulli është publikuar në gazetën "The Guardian".

Lajme të ngjashme