Vajzat me shami s'e rrezikojnë "sigurinë kombëtare", duhet të lejohen në shkolla publike - NACIONALE

Vajzat me shami s'e rrezikojnë "sigurinë kombëtare", duhet të lejohen në shkolla publike

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Jetlir Buja

Me anë të një udhëzimi administrativ në vitin 2014, Ministria e Arsimit ndaloi shkollimin në shkolla publike për vajzat që vendosin ta mbulojnë kryet me shami. Iniciativa e juristit Durim Berisha për ta hequr atë pikë të udhëzimit që bën ndalesën në fjalë, e ka çelë një debat të ri ku fatkeqësisht po na shfaqen paragjykime të vjetra.

Halil Matoshi i kishte shtruar katër pyetje në një opinion në lidhje me këtë çështje, e ku më kishte përmendur edhe emrin.

Do t’i përgjigjem secilës veç e veç, sepse e respektoj kontributin e madh të Matoshit në debatin publik, por së pari më duhet të shtroj disa komente të përgjithshme.

Matoshi më përmendi emrin sepse i dola në mbrojtje iniciativës. Udhëzimi administrativ është absurd, i padrejtë dhe diskriminues. Arsyet për këtë gjë i ofron vetë Durim Berisha, që me të drejtë thjesht kërkon respektim të Kushtetutës së Kosovës.

Por, unë do të merrem këtu me ‘sëmundjen’ që çoi drejt këtij diskriminimi të cilit i dola kundër. E kam fjalën për islamofobinë, dhe e cila na buron prej mënyrës ende-prapanike të perceptimit të identitetit kombëtar, shoqërisë dhe vetes.

Pardje po lexoja komente qytetarësh mbi ‘zhveshjen’ e vajzave të Kosovës në festivalin Sunny Hill. Ishin gërditëse e të turpshme. Gati kriminale. Dhe, bash në ato komente që sulmonin ‘zhveshjen’ dhe alarmonin se dikush po paguante për ‘degjenerimin’ e rinisë dhe rrënimin e ‘traditave’, na del logjika e atyre që po mbrojnë diskriminimin shtetëror të vajzave me shami.

Unë nuk jam mysliman, por besoj që edhe vajzat myslimane si ato jomyslimane, duhet ta kenë lirinë e plotë për të vendosur mbi trupin e tyre. E këtu, përfshihet edhe kryet.

Edhe iniciativa e Durim Berishës mori paragjykime të njëjta si vajzat ‘e zhveshura’. U tha se dikush po paguhej ‘për mbulimin’ e tyre, u tha se po sulmoheshin ‘traditat’ tona ku shamia ishte e imponuar dhe e huaj, dhe se kjo po çonte në degjenerim shoqëror. Kemi të bëjmë pra me një sulm që përmban të njëjtat paragjykime dhe të njëjtën strukturë argumentative.

Kapja pas ‘traditave’ është armiku më i madh i çfarëdo progresi. Ajo provon ta ngurtësojë, ta mendojë si ‘një herë e përgjithmonë’ të fiksuar, e kësisoji të mbyllur, identitetin kombëtar, shoqërinë dhe veten. Kërkon prej nesh të jemi robër të identiteteve që na imponohen prej lart nga metarrëfime absurde. Kërkon të na statuizojë.

Pra, kemi të bëjmë me frikën e madhe për të renë, për ndryshimin. Ne duhet të jemi brenda një kornize të qartë të parashikueshmërisë në mënyrë që pastaj, për ne, të flitet si për një grup homogjen e të kurdisur. Pshurr në liri!

T’i kthehem tash pyetjeve të Matoshit. Ai shtron pyetjen në kontekstin feminist: sistemi i vlerave është vendosur nga burrat. Pse duhet që burrat të vendosin sërish për gratë?

Grupi

Unë nuk besoj që sistemi i vlerave në vendin tonë është tamam sistem. Nuk ka sistem, edhe sepse jemi dhe duhet të jemi të lirë. Ka – ashtu siç edhe duhet të ketë - luftë ose konkurrencë vlerash. Natyrisht, patriarkaliteti është i gjallë dhe këmbëkryq në mesin tonë. Por, të thuash që burrat po vendosin sërish për gratë – përmes heqjes së ndalesës për shamitë në shkolla publike - përbën konstatim tepër arbitrar. Është e kuptueshme se në familjet e Kosovës mund të ketë imponueshmëri. Pra, prindërit mund ta detyrojnë vajzën e tyre që ta bartë shaminë përkundër vullnetit të saj. Por, ky është problem aq margjinal sa do të ishte absurde që të nisej lufta ndaj patriarkalitetit duke luftuar prindërit myslimanë të vajzave të moshës 16 vjeçare.

Përveç kësaj, kemi plot raste kur vajzat në Kosovë kanë vënë shamitë dhe më pas i kanë hequr sepse kanë ndryshuar bindje. Rastet kur familjet u mohojnë lirinë e zgjedhjes fëmijëve të tyre, duhen adresuar, ashtu siç adresohen rastet e dhunës në familje. Por, kjo nuk na jep lirinë që të sulmojmë vajzat kosovare bash pse ato sulmohen prej vetë prindërve të tyre.

Pyetja e dytë e Matoshit: qysh ia doli ideologjia komuniste të hiqte shamitë nëpër Kosovë “pa masa detyrimi”?

Unë dyshoj që ideologjia komuniste ka hequr diçka prej trupave të qytetarëve të saj pa “masa detyrimi”.

Për shkak të propagandës së madhe, dhe fshehjes së fakteve, ne sot mund të mendojmë se përnjëmend është përjetuar si “emancipim” ajo politikë. Por, ajo s’kishte të bënte kurgjë me emancipimin atëherë, e s’ka të bëjë kurrgjë me emancipimin sot. Emancipues ishte stimulimi financiar për familjet kosovare që t’i çonin në shkolla vajzat e tyre, marrë parasysh nivelin tmerrues të analfabetizmit. Por, jo heqja e shamive.

Ndërhyrjet shtetërore në jetën private të qytetarëve – edhe kur proklamohen si emancipuese – përbëjnë dhunë në vetëvete.

E treta: a duhet të konsiderohet e ligjshme e drejta e shtetit – si aparat i dhunës legjitime – në kontekstin e sigurisë nacionale, për të ndaluar shaminë?

Çdo grua që ushtron të drejtat dhe liritë e saj themelore, përbën ‘rrezik’ të madh për sigurinë nacionale. Çorienton dhe trazon përjetimin e asaj që e marrim si të përbashkët. Por, ky është një ‘rrezik’ që ia vlen. Çdo ditë! Çdo natë!

E katërta: a paraqet rikthimi i shamive ndarje të re brenda etnisë shqiptare?

Etnia duhet të ndahet e përndahet, në mënyrë që t’i lëshohet vend çlirimit të krejt identiteve. Bile, etnia s’do të duhej të ishte fare pjesë e debatit publik. Por, meqë është, duhet të bëjmë përpjekje të mëdha e sa më serioze, që të ndahemi nga njëri-tjetri në mënyrë që ta kemi të mundshme ushtrimin e lirive dhe të drejtave tona. Jemi individë!

Lajme të ngjashme