Parullëshkruesit dhe parullëmbuluesit
Nuk u bë, bre, kijameti pse regjimi albinkurtist për pesë vite prodhoi turlifarë skene perverse. Ato ishin thjesht dalldi gjendjesh mendore ku njëri festonte majmunçe me goma, tjetri i binte kusive, filani i puthte këpucët kryeministrit, fisteku e quante të dërguar e profet Allahu, ose ndonjë e bënte tatuazh surratin e tij. E padukshmja e Ajsbergut është gjithmonë më e frikshmja. Çdo parullë a grafit anti-Albin është fshirë ose shkarravitur brenda orësh. Parullëshkruesit e dikurshëm u bënë parullëmbulues. Dikur i vizatonin hapësirat publike me parulla kundër secilit kundërshtar të VV-së, kurse tani mbulojnë me sprej çdo shprehje manifeste kundër Albinit. Konvertimi i parullëshkruesve në parullëmbulues, i subversivëve në xhandarë e agjentë, është mbase e arritura e regjimit që duhet të na shqetësojë më së shumti.
Col Mehmeti
Kur muret e ndërtesave, nënkalimet e urat bojatisen me parulla, autorët anonimë shijojnë nga larg një nga të paktat satisfaksione në jetë.
Zanati i shkrimit të parullave gjithmonë bën bashkë gulshimat, zemrën që rrah tak-tak-tak dhe një nevojë për të cakërruar brirët me pushtetin.
Parullëshkruesin anonim e nxit edhe një ndjesi ilegaliteti, një iluzion, anipse vetë akti i parullëshkrimit nuk përbën farë ligjshkelje.
Peizazhet urbane tash e njëqind vjet nuk mund të përfytyrohen pa grafitet me sprej ku rebelimi flet me një gjuhë domethënëse në formë parullash.
Me to përzgjatet një bisedë vizuale si pulsim rebel lindur nga domosdoshmëria, i sajuar anonimçe dhe i frymëtuar nga nevoja për t’u parë nga të tjerët.
Një studim mjaft interesant i para do viteve e shtjellonte mjaft bukur graffscape-in (peizazhin grafit) të Prishtinës.
Nëpërmjet zërave të ndryshëm etnopolitikë, parullat dhe mbishkrimet murale si praktika kuptimore bartin mesazhe të caktuara.
Arti grafit, ose parullëshruarja, bëhet një medium që iu mundëson pikëpamjeve konfliktuese mbi të ardhmen e vendit që të hyjnë në dialog me njëra-tjetrën.

Ndryshe nga koha parateknologjike ku baladat e këngët individuale bëheshin kreative vetëm kur anonimizoheshin nga goja në gojë, duke hequr vargje më pak interesante e duke shtuar të tjera më interesante, arti urban i grafiteve është një zeje krejt e tjetërsojtë.
Ai nuk është i transmetueshëm dhe kreativiteti i tij duhet të shprehet qysh në dorën e parë.
Këto radhë nuk janë në kërkim të një Banksy të talentuar urban midis nesh
Regjimi albinkurtist nuk duhet të shihet vetëm si një totalitet i përbindshëm votash që ka shuar secilin pol opozitar dhe ka kapur shtetin deri në thellësitë më të skajme të tij.
Regjimi albinkurtist nuk duhet të shihet as në dallditë festive ku mbështetës të tij, që as nuk jetojnë në Kosovë, lënë nam duke kërcyer majmunçe me kusi e goma.
Regjimi albinkurtist duhet të pikaset te efikasiteti i tij i frikshëm në shpërndërrimin e fisit të parullëshkruesve.
Parullëshkruesit e dikurshëm që krijonin armiq imagjinarë – të tillë që nuk linin as një pëllëmbë vend pa parullat “Isa, Hasha – Esat Pasha”, tani janë nën diktatin e një urdhri të ri.
Zanati i sprejit nuk është braktisur si ai i një teneqexhiu a nallbani që më nuk kanë myshterinj.
Sot, parullëshkruesit janë të shumtën mbështetës banalë të çdo perversioni të pushtetit, dhe puna e tyre tashpërtash është në shkarravitjen me sprej dhe mbulimin e secilit grafit kundër pushtetit.


Kur kryeministri Kurti si një kapo karteli tallej me Prokurorinë Speciale duke mos iu përgjigjur ftesave të saj për intervistim, një zemërplastë ose disa syresh shkruan nëpër Prishtinë parullën kuptimplotë “Albin dorëzohu në Prokurori”.
Parullëshkruesit e dikurshëm morën sprejat në duar dhe mbuluan emrin “Albin”.
Në një shpërthim arrogance ku nuk hetohej ku fillonte ligësia e ku dalldia nga narkotikët, Kurti i shante partitë opozitare si “hajvanë”.
Disa ditë më vonë, irritimi i përgjithshëm më në fund shpërtheu dhe Kurti u flakaresh nga parulla “Kryeministër hajvan” që mbuluan qoshe të dukshme në kryeqytet.
Dhe prapë skuadrat e dikurshme parullëshkruese u vunë në punë.

Ato fshinë këto parulla në një tërbim të pakuptimtë për të vizatuar perceptimin e një Albini perfeksionist që nuk e meriton asnjë të sharë, dhe sidomos jo aso të shkruara në vende publike.
Kur një grupim politik shkroi parullën “Albin Zajednica”, parullëshkruesit e vjetër tani ishin shndërruar në parullëmbulues.
Ata e fshinë “Zajednica” dhe në vend të saj e shkruan “Baba”.

Kështu, muret urbane gjuhësonin atë subkulturë fetishizuese që tek Kurti gjen një babë benevolent.
Ç’është e vërteta, parullëmbuluesit e kanë mbrojtur secilin vartës të Albinit nëse atij i është grafitizuar emri.
Njërit prej ikonave korruptive të qeverisë së Kurtit që u mpleks edhe në nivele rajonale, Martin Berishaj, nuk iu desh të sikletosej fare.
Parullëmbuluesit nga VV-ja i mbuluan të gjitha parullat ku kërkohej që ai të dilte para drejtësisë.

Si konsolidohen atëherë këto kundërthënie e disonanca ku të rinjtë e militantizuar i bëjnë argatin e pushtetit?
Irani do të ishte një shembull i paputhitshëm sepse atje e çara e ndan një shoqëri të tejpolarizuar.
Në njërën anë ka të rinj, kryesisht brezi Gen Z, të neveritur nga një regjim i plakur islamik, dhe në anën tjetër ka kontigjenca moshëthyera që e përkrahin dëshpërimisht sundimin teokratik të ajatollahut.
Nëse të parët rebelohen me parulla që kërkojnë liri e heqje të zgjedhës së tiranisë teokratike, regjimi herë me rrogtarë e herë me vullnetarë i shkarravit dhe mbulon mbishkrimet rebele.

Një grua e guximshme iraniane që shkruan parullën زن، زندگی، آزادی (Zan, Zendegī, Āzādī), me kuptimin “Grua, Jetë, Liri”. Burimi: Burimi: ajammc.com.

Pikëprerja shoqërore e kulturore në një shoqëri të vogël, si kjo te ne, nuk është as për së afërmi e njejtë me atë në Iran.
Paradoksalisht, regjimi antiperëndimor në Prishtinë i ka mendjekolonizuar sektorët e rinj demografik.
Kreativiteti rebel shndërrohet dhembsurisht në antikreativitet, ose në skuadra vigjilente e mobile vullnetarësh që e mbrojnë regjimin në kurriz të përtharjes së secilit manifestim antiregjimist.
Shkrimi i atyre pak parullave anti-Albin dhe mbulimi i tyre marramendësisht i shpejtë është pak-a-shumë raporti real i forcave në vend.
Kjo luftë për hapësirën vizuale publike mes ‘intervencionistëve’ (artistë bona fide ose edhe disidentë) dhe agjentëve të regjimit duhet të interpretohet sesi një projekt politik la pasoja të pashlyeshme në psikën kolektive.
Agjentët e regjimit dikur ishin ‘artistë’ rebelë, por që tani kauzë e kanë luftën ndaj atyre pak rebelëve të paasimiluar.
Mbulimi me sprej nuk do të ishte farë problemi po të ishte vetëm punë inati nga mbështetës të regjimit albinkurtist që nuk duan të shohin asnjë gërvishje në imazhin perfeksionist të ndërtuar mbi Albinin.
Dreqnia e vërtetë është përpjekja kaq e përbindshme për të bërë një ndërhyrje që shkon përtej ngjyrave e sprejave.
Ajo është e tillë që kërkon të fitojë dominancë te nënvetëdija kolektive si Tabir Saraji (Pallati i Ëndrrave), alegori kadarejane, kur pushteti ka frikë nga subversioni oneirik i shtetasve.
Muti i madh ndodh kur ëndrrat dhe mënyra e të ëndërruarit robtohet nga pushteti.