Në vend të një recense: ‘Pisarnicat’ e Botës Sot - NACIONALE

Në vend të një recense: ‘Pisarnicat’ e Botës Sot

6 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Libri i ish-ambasadorit Islam Lauka “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë” e paska një trill interesant.

Ndonëse dritën e botimit e pa qysh më 2019 te shtëpia botuese ‘Faik Konica’, ky titull do ta bënte të njohur ekzistencën e vet vetëm gjashtë vite më vonë.

Dhe sebep për këtë shfaqje të papritur do të bëheshin do desperado të Botës Sot që po shërbehen vazhdimisht me shkëputje nga ky libër.

Leximtaria në Kosovë, ashtu si në gjithë botën shqiptare, është për gjynah, por çuditërisht është i përhapur edhe një lexim i përçudtë ose, thënë më mirë, një mënyrë e të lexuarit.

Bëhet fjalë për leximin selektiv ku merret veresije një copë këtu e një copë atje sa për të bërë një dossier kundër ish-udhëheqësit politik të UÇK-së, ish-kryeministrit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Çuditërisht, zoti Lauka, me ose pa dashje, është shndërruar në një referencë për të legjitimuar një nga luftërat më smirëzeza në Kosovë, siç është ajo kundër Thaçit.

Edhe pse është në verigat e Hagës, edhe pse nuk është i pranishëm fizikisht në Kosovë për afër gjashtë vite, prania e tij vazhdon të jetë trazuese për qarqe njerëzish në moshë të thyer, të tillë që i gjen në ‘pisarnicat’ fantome të Botës Sot.

Nejse, le t’i vargëzojmë do fjalë për zotin Lauka.

Sado që në dollapin e tij biografik bien në sy arritjet e tij si autor i disa librave publicistikë, ai më fort njihet si ish-ambasador i Tiranës në Prishtinë.

Një ambasador i Tiranës në Prishtinë ose një i Prishtinës në Tiranë seç e ka njëfarë paradoksaliteti, por ja që dy shtetet shqiptare duhet t’i bëjnë adetin një rendi ndërkombëtar të gjërave.

Personalisht, gjithnjë jam kërshëruar nga ai soj literature jofiksion që autorohet nga njerëz të përfshirë në botën e diplomacisë.

Memuaret, veçmas ato të diplomatëve, gjithmonë luajnë me atë pritjen dhe mezidurimin tonë për t’i zbuluar anëpamjet e pazakonta të corps diplomatique.

Cilat janë ato përkapje të cilat nuk janë thënë deri më sot sebep mëgojëzave zyrtare e kufizimeve të rrepta që secili ambasador i mëson përmendësh në doracakun diplomatik të xhepit?

Të jemi qartë, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë” nuk është një evokim memuaristik e as nuk përbëhet nga shënime të mbajtura në notesin personal.

Libri i tropojanit tonë paraqet një gjellë vështrimesh autoriale kur nuk ishte më ambasador, me fjalë të tjera njëfarë komentari përtejdiplomatik mbi gjeratoren e zhvillimeve në Kosovë.

Duke shfletuar faqe pas faqe, respekti ynë prej lexuesish për këtë ish-diplomat karriere përballet me plasaritjen e parë.

Anëpamjet e zotit Lauka janë ‘kosovarizuar’ për ibret, dhe shumë prej tyre mbajnë një ngjyrë të fortë të mjedisit toksik në Kosovë.

Kudo mes rreshtash, subliminalisht e subtekstualisht, ndjehen spërkat e pasioneve fshatareske dhe pozicionimeve mushkërishte.

Tash sa kohë, Kosova, ky fëmijë i Perëndimit, nuk është as hija e projektit të dikurshëm për shtetndërtim entuziast e të mbarë që i çarmatoste fqinjët e të gjithë detraktorët.

I gjithë përfytyrimi kolektiv është katandisur në gjërat më primitive të mundshme a thua sikur jemi në stade parashtetërore, në atë kthinën e errët të tribalizmit.

Shenja të këtij retardimi të përgjithshëm janë të pambarimtat diskutime të krisura vetëm për pragun e shpís, për metra katrorë, për kufi në dobi të fqiut e në dëm tonin, me një fjalë muhabete fisi.

Një lexues mund të mbetet syzgurdulluar përballë trajtimit të përciptë që zoti Lauka i bën një ideje që e trazoi dhe e shungulloi kaq shumë opinionin shqiptar.

Dhe cila ide është urryer pa u njohur kurrë sa shkëmbimi potencial i territoreve mes Kosovës e Serbisë?

Pa kostumin e diplomatit, tropojani ynë haptas pozicionohet kundër një mundësie të tillë të cilën me një të rënë lapsi e personifikon si ide të Thaçit – andaj edhe titulli i pa shije i librit për “gjarpnín e shpís” dëshmon se ai bën përpjekje për të apeluar në sentimentet ireale të një pjese të publikut kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Kësodore, Lauka merr nënshtetësinë e një kosovarizmi primitiv që, në vend të operimit me kanonin zotnishi të shtetësisë, shërbehet ende me logjikën e kufijve që janë në rrezik të përhershëm nga armiku. Në fjalësin e tij, ideja për shkëmbimin e territoreve është veçse “lojë e rrezikshme me kufijtë”. Hajde-de!

Cili do të jetë fati i Mitrovicës së Veriut? Po i Ujmanit dhe pasurive të Trepçës? Po i pikës strategjike te Pançiqit? Po i kullës historike të Isa Boletinit, që aktualisht ndodhet në territorin e komunës së Zveçanit? Po i fshatrave shqiptare të Luginës së Preshevës, përtej hekurudhës? Po fati i fshatrave që ndodhen në komunat me shumicë serbe në Veri, cili do të jetë?”, pyet Lauka në faqen 92.

Shumë nga këto pikëpyetje do ta meritonin nga një përgjigjje të thelluar sa kohë bëhet fjalë për të vetmen ide që premtonte paqtim largvajtës të problemit shqiptaro-serb.

Ndryshe nga opsionet e konsumuara që Kosova ta zgjidhë davanë e saj duke akomoduar brenda vetes një autonomi për serbët, ideja e shkëmbimit, së paku në teori, përmbante perspektivën që shtetit t’i sigurohej një themel i qëndrueshëm me një territor ku gëzon lojalitet prej së vërteti nga shumica e popullatës.

Tropojani ynë nuk i shkoqit pyetjet që i pozon vetë, sepse disa faqe më tej ai shfaq dhuntinë e tij, guxojmë ta quajmë parapsikologjike, për të kapur edhe motivet ulteriore të tjetrit, për t’u përbiruar edhe në thellomat e mendjes së tjetrit.

Duke e fshikulluar herë drejtpëdrejtë e herë tërthorazi Thaçin, zoti Lauka na vë përballë një zbulimi marrafrymës. Voila!

Sipas tij, “ideja e Thaçit…është thjesht një instrument për arritjen e qëllimeve të tjera të tij, që përgjithësisht, nuk kanë të bëjnë fare me shqetësimin për zgjidhjen e situatës tragjike të shqiptarëve të kësaj treve” (fq. 97).

Siç edhe pritet në rastet kur mistifikimi e zëvendëson esëllinë, ish-diplomati i jep leje vetes për t’u hedhur si djemtë e rinj në fantazi të egra për të gjetur psehun që Thaçi kërkonte shkëmbim territoresh.

Mendo e mendo, Lauka fillimisht dyshon se Thaçi e përdori Luginën e Preshevës “për të siguruar mbështetjen e munguar politike dhe publike për veten e tij”, e pastaj ngre pistën e dyshimit për “pazare territoriale me Serbinë”, pa lënë mangut as aftësinë e tij alla-Baba Vanga se trazirat që do të pasonin nga kusuritja me territore do të neutralizonin punën e Gjykatës Speciale (sic!).

Çuditërisht, asnjë nga detraktorët e Thaçit nuk ka kërkuar falje edhe kur koha i ka përgënjeshtruar pamëshirë.

I gabuar ka qenë secili lexim, si ai i grave fallxhore në filxhanin me të zezën e kafesë, se Thaçi po e bënte këtë ose atë veprim për t’i bishtnuar Gjykatës Speciale.

Thaçi nuk i ka ikur Speciales, përkundrazi ka qenë i vetmi burrështetas me këllqe që i doli ballëpërballë sprovës me drejtësinë ndërkombëtare duke mos i vënë barrë as shtetit e as popullit të tij.

Ai ka qenë shembull i patëdytë që mori përsipër përgjegjësitë kapitale dhe asnjë veprim i tij nuk sugjeron se ai bëri lakadredha për të mos rënë në dhokanin e Gjykatës.

Ca paragrafë më tej, pena e zotit Lauka shkruan se përdorimi i Luginës si levë negociale mund të ishte me bereqet, por ja që Thaçi ishte gjarpër:

“[…] Përdorimi taktik i Luginës së Preshevës si kundërpeshë ndaj pretendimeve serbe, mund të jetë i justifikueshem. Por, edhe ky është i dyshimtë”, shkruan tropojani ynë.

Ç’është e vërteta, opsioni i shkëmbimit të territoreve ishte përtej një kalkulimi në negociata, sepse ndryshe nuk do të vinte një moment i rrallë – madje po aq unik sa në muajt e bekuar të 99-ës kur Perëndimi u pajtua që të breshëronte bomba mbi Jugosllavinë – kur ideja në fjalë u konsiderua me plot seriozitet në Washington, Londër, Paris e, ca nga ca, edhe në Berlin.

Paqtimi largvajtës shqiptaro-serb ka marrë në thua kurdo që janë përdorur manovra efemere, dhe Perëndimi, si sponzor i një procesi të tillë, nuk ishte aq sylesh sa të mashtrohej nga manovra ballkanase.

Kësodore, opsioni për shkëmbim territoresh shfaqej hijerëndësisht si një sprovë serioze që më në fund do t’i hapte udhë historisë së vërtetë në Ballkan ku shqiptarë e serbë do të kishin shtetet e tyre mbi themele mjaft satisfaktore.

Shkëmbimi i territoreve nuk do të duhej të vulgarizohej sipas mendësisë fshatarake në Kosovë ku ende operohet me nocionet e metrave katrorë dhe jo me prospektet e stabilizimit dhe hapërimit drejt stadesh të tjera.

Për arsye që kurrë nuk u morën vesh, pjesa më e madhe e publikut në Kosovë u rekrutua në këtë psikozë sa edhe u bënë protesta masive në Prishtinë ku u kundërshtua ideja që shteti ynë të shtrihej në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Ishte një ngarendje aq e pakuptueshme e aq vetëvrasëse sa vërtet u besua se Kosova do ta gjente salvimin e saj duke i pasur të vetat komuna si Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani.

Jo vetëm që kjo e privoi Kosovën nga një imagjinatë aq shumë e nevojshme për të thyer formatin shterpë të zgjidhjeve të konsumuara, por kjo shkurtpamësi e tkurri vendin dhe e la zbuluar përballë një Asociacioni njëetnik që, falë budallëqeve të Kurtit, mori ingerenca shtesë ashtu sikurse edhe një mbështetje thuajse të njëzëshme ndërkombëtare.

Ajo çka vërtet shkakton një ndjesi të pakëndshme te ish-ambasadori ynë është se ai nuk naltohet mbi opinionet e bindjet që bashkëndahen nga publiku.

Dikur Platoni e ndante kognicionin njerëzor në katër kate nga më i poshtmi te më i epërmi: eikasia (imazhet e shëmbëllimet fizike), pistis (besimi në sende fizike), dianoia (mendimi abstrakt) dhe noesis (intelektualësia e kuptimi).

Kur një ish-diplomat shërbehet me llumin e tajuar nga një pjesë e politikës provinciale në Kosovë, para nesh absurdi vihet në fron.

Kështu, shkëmbimit të territoreve i vihet shenja e barazimit me ndarje të Kosovës (ah sa dhemb për sedrën e tribusë!), kurse procesit të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi i vishet manteli i një gjoja shitje të tokave në favor të armikut.

Pra, operim me nivelet më primitive njerëzore si imazhet dhe besimi.

Në një moment acarimi autorial, zoti Lauka e bën me gisht Thaçin edhe për “defiçit atdhetar”, dhe se ndër gjynahet e tij paska qenë edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi, “nëpërmjet së cilës, Qafa e Çakorrit, Belluha dhe Kulla, të njohura historikisht si territore të Kosovës, u tjetërsuan në favor të Podgoricës” (fq. 98).

E vetmja paqartësi kur lexohen këto radhë është nëse vetë autori ka qenë në një dalldi çasti me njerëz të Vetëvendosjes e AAK-së që e gënjenin njerëzinë se Malit të Zi po i faleshin mijëra hektarë tokë Kosove.

Tash e tetë vjet, prejse është tharë boja e nënshkrimit mbi Marrëveshjen e miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, askush nuk kujtohet më për kauzën e dikurshme dhe nderin e fisit.

Kjo flet kuptimshëm sesi e gjithë kauza ishte apelim në emocione e gjendje të tjera agjitimesh, e jo në fakte e gjykime të ftohta.

Kosova nuk humbi sipërfaqe e as nuk fali tokë, siç u provua edhe ndërkombëtarisht, madje edhe një raport në autorësi të gjoja shkencëtarëve nga radhët e opozitës së dikurshme nuk arriti të gjuhësonte as edhe një argument në natyrën e provës që kufiri u zhvendos këndej.

Lajme të ngjashme