Ndërhyrja artistike “Kujdes nga Kurt’H’i” nga artisti I Am I, në kuadër të balotazhit në Prishtinë
Ndërhyrja artistike “Kujdes nga Kurt’H’i” është një paralajmërim artistiko-politik në kuadër të kampanjës së artit politik #ArtistsShouldnotSupportPopulistAndAuthoritarianPoliticians. Në kontekstin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, kjo ndërhyrje ngre pyetjen thelbësore: Çfarë ndodh kur kryeqyteti kthehet në instrument të një pushteti populist dhe autoritar që synon të kontrollojë çdo segment të shtetit?
Metaforkisht, titulli është një lojë gjuhësore dhe semantike mes fjalës “kurthi” dhe mbiemrit “Kurti”, ku shtesa e vetme, shkronja “H” simbolizon figurën marionetë të Hajrullah Çekut, kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në Prishtinë. Simbolikisht “H” shpërfaq hallkën e manipulimit ndërmjet liderit dhe instrumentit të tij politik – mënyrën përmes së cilës regjimet populiste dhe liderët autokratë e mirëmbajnë pushtetin duke e maskuar kontrollin si ndryshim nëpërmjet mekanizmave të tillë. Në këtë mënyrë, ndërhyrja artistike është një thirrje reflektuese për qytetarët, për të kuptuar dhe sfiduar kurthin e “demokracisë së kontrolluar”. Metafora e “kurthit” merr trajtë visual alegorike përmes simbolikës konceptual të qytetarëve si minj, të cilëve përmes populizmit u ofrohet “djathi” për rënie në kurthin e autokracisë. Djathi, konceptualisht bëhet metaforë e propagandës, ndërsa qyteti shndërrohet në një labirint të pushtetit.
Prishtina, në këtë ndërhyrje artistike, trajtohet si beteja kyçe për demokracinë në Kosovë, duke rezonuar brenda hartës së autokracisë moderne, ku kapja e kryeqytetit është momentum vendimtar për kapjen e shtetit. Historia politike rajonale na ka traguar se kur regjimet autoritare e marrin kryeqytetin, ato e kapin shtetin, duke kontrolluar “imagjinatën kolektive” për të krijuar pushtetin absolut. Shembull, në Turqi, Rexhep Tayyip Erdogan e konsolidoi pushtetin pasi partia e tij mori kontrollin mbi Ankaranë, por që viti 2019 e tregoi edhe të kundërtën, humbja e Ankarasë tronditi seriozisht regjimin e tij. Po ashtu, Viktor Orban në Hungari e forcoi regjimin e tij pas marrjes së kontrollit të plotë mbi Budapestin, duke e shndërruar kryeqytetin në qendër të propagandës autokratike, njëherit, në Serbi, Aleksandar Vucic e ka përdorur Beogradin si makineri të propagandës dhe shpërndarjes së klientelizmit politik, duke e kthyer në epiqendër të pushtetit vertikal. Kurse, Edi Rama në Shqipëri e ndërtoi modelin e “demokracisë vizuale” vetëm pasi e ktheu Tiranën në skenë të imazhit të pushtetit, ku ngjyrat e fasadave edhe sot mbulojnë erozionin e demokracisë, edhe në Poloni, Jaroslaw Kaczynski e përdori Varshavën si arenë për “reformimin ideologjik të shtetit”, duke instaluar një regjim brutal që ushtrohej me shtypje dhe represion.Madje edhe në Rusi, Vladimir Putin ngriti sistemin e tij të kontrollit përmes mbajtjes së Moskës si laborator të pushtetit total mbi hapësirën publike dhe mediatike.
Në këtë kontekst, ndërhyrja artistike e angazhur politikisht “Kujdes nga Kurt’H’i” artikulon artiskisht në mënyrë protestative rrezikun e shndërrimit të kryeqytetit në instrument propagandistik të pushtetit, si një alarm simbolik dhe manifest kundër kurthit politik, si dhe një thirrje qytetare për të mos u bërë mi i djathit propagandistik – në kurthin e Albin Kurtit përmes Hajrullah Çekut.
Artist: I Am I
2025