Ka një alternativë që mund ta shpëtojë Kosovën nga Asociacioni - mjafton guximi - NACIONALE

Ka një alternativë që mund ta shpëtojë Kosovën nga Asociacioni - mjafton guximi

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Jetlir Buja

Asociacioni i komunave me shumicë serbe e përjetëson ndasinë etnike mes shqiptarëve dhe serbëve, duke shkatërruar efektivisht parimin kryesor të shtetit të Kosovës. Pra, nuk qitet në pikëpyetje veç funksionaliteti i këtij shteti, por edhe ekzistenca e tij. Prandaj, Qeveria në vend se të rënkojë, duhet ta nisë me urgjencë një ‘luftë’ që minon nevojën për Asociacionin serb.

Nganjëherë në Kosovë, disa gjëra ndodhin kah pesëdhjetë herë, dhe ne jemi të detyruar që t’i përjetojmë si të ishin duke ndodhur për herë të parë. Ndoshta për shkak se jemi vend i vogël që s’arrin të prodhojë aq shumë lajme sa është në gjendje të konsumojë, e ndoshta sepse kemi agjenda banale politike që drejtojnë edhe përjetimet tona sipas nevojave të tyre.

Kështu ndodhi me darkën në Berlin mes Kurtit, Lajçakut e Vuçiqit. Ai nuk ishte takimi i parë i kryeministrit të Kosovës me presidentin serb. Po ashtu, nuk ishte hera e parë që Kurti merrte pjesë në dialog. Nuk ishte hera e parë që shkelte qëndrimet për atë gjë. Por, nga opozita dhe kritikë të Kurtit u detyruam që ta përjetonim si mëkatin e parë të tij. U detyruam të befasoheshim. Dhe natyrisht, do të na detyrojnë të befasohemi sërish, në takimin e radhës më 18 gusht.

Po njëjtë ndodhi edhe me disa deklarata të Gabriel Escobarit që paraqisnin qëndrimin amerikan mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, që s’duhej të ishte “shtet brenda shtetit”. Ky qëndrim ishte shprehur nga Amerika në dhjetëra raste tjera përgjatë këtyre tetë-nëntë viteve. Por, përsëri u shtrënguam të reagonim me befasi sikur të ishte hera e parë që shprehej. Kësaj here, na shtrëngoi pushteti.

Deputeti Dimal Basha me anë të një statusi në Facebook pretendonte se “amerikanët ishin bindur” për të arritur deri te ky qëndrim kundër (sic) Zajednicës që krijonte një Bosnje të dytë. Pra, amerikanët ishin bindur nga ai e nga Kurti.

“Amerikanët veq kërkojnë me i bind që diçka nuk bën, e kur e sheh që Zajednica që e kanë nënshkru ata hajgerexhitë e krijon një Bosnje të dytë, normal që as amerikanët nuk e dojnë një Kosovë jofunksionale!”, thotë me një sintaksë të çuditshme deputeti.

Por, përtej këtij lajmi të rremë qëndron obligimi i vërtetë për formimin e Asocacionit – e për të cilin veprim duket se po matet ky pushtet, siç na tregon deklarata e mësipërme.

Megjithatë, shkelja e qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës duhet të ndalet pikërisht në këtë pikë.

Formimi i një Asociacioni një-etnik në rrethana ideale nuk do të ishte aq problematik. Kemi serbë të bërë bashkë, kemi komunat që i drejtojnë, kemi një asociacion që u ndihmon të avancojnë interesat e tyre, dhe kemi përplasje me Qeverinë që drejtohen nga drejtësia e Kosovës.

Por, formimi i një Asociacioni një-etnik në rrethanat aktuale është tepër i rrezikshëm, qoftë edhe nëse nuk ofrohen menjëhershëm të drejta ekzekutive për të. Cilat janë këto rrethana? Ndasia etnike në gati gjithçka. Politika nacionaliste e ultranacionaliste gati nga çdokush. Mungesa e plotë e serbëve në jetën publike të Kosovës, dhe mungesa gati e plotë e lojalitetit të këtij komuniteti për shtetin dhe institucionet e Kosovës. Një presidente që ka shpërfillur krejtësisht serbët, aq krejtësisht sa ka nxitur edhe qortimin e një ambasadori (Rohdes). Një kryeministër që ka premtuar dhe s’e ka bërë dialogun e brendshëm me serbët – e që as nuk duket se ka plan investimesh apo ndonjë strategji për ta zbehur pushtetin destruktiv të Vuçiqit dhe Serbisë mbi ta. Një opozitë që e bëri m*t sa ishte në pushtet.

Formimi i Asociacionit në këto rrethana – cilatdo qofshin të drejtat që merr – përbën minim të drejtpërdrejtë të karakterit të shtetit tonë. Përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës e kanë dëshmuar aftësinë e tyre për mosbindje. Askush s’mund t’i ndalojë nesër që përmes Asociacionit të organizojnë veprime të papranueshme destruktive, e të cilat do të çojnë në një mobilizim e homogjenizim edhe më të egër të popullësisë serbe. Ndërkohë, Kosovën do ta ndalojnë të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta shtrijë autoritetin që i takon edhe me ligj e Kushtetutë për ta shtypur rezistencën ndaj rendit të saj juridik e politik. Për ta shtypur ekzekutiven brenda atij Asociacioni, në mënyrë që ta pamundësonte ndarjen formale në baza etnike.

Është e vërtetë që kemi ndasi të theksuar mes etnisë shqiptare dhe asaj serbe në Kosovë edhe tash. Është e vërtetë edhe se nuk ka asnjë përpjekje serioze që ndasia të çahet përfundimisht – meqë liderët kosovarë ishin e janë qyqarë e të padijshëm. Por, është e vërtetë edhe se mund të çahet ndasia nëse çajmë paraprakisht rrethimin e populizmit nacionalist. Jemi të lodhur me këto tema, me ngjarje që përsëriten e stërpërsëriten dhe na detyrojnë të sillemi sikur po ndodhin për herë të parë. Prandaj, krejt kjo lodhje s’duhet të lejojmë që të prodhojë veç apati e indiferencë, por angazhim qytetar mbietnik për një të ardhme tjetër, krejt tjetër.

Ajo çka do të bëjë Asociacioni – nuk do shumë mend për ta kuptuar - është përjetësimi i tensioneve dhe konflikteve etnike brenda Kosovës. Në vend se të kemi politika përparimtare, do të kemi një shtrat të gjerë e të gjatë për politika nacionaliste, edhe më nacionaliste. Ajo çka bëri politika kosovare deri tash – fatkeqësisht edhe me këtë qeveri – është riciklimi i përjetshëm i të njëjtave gjëra në mungesë trishtuese të ideve. E para (Asociacioni) mund të marrë fund veç kur e dyta (njëjtësia) të marrë fund paraprakisht.

Në vend se të merret me pasurimin e fjalorit të saj arsyetues për marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara nga qeveritë e mëhershme, Qeveria Kurti duhet të pasurohet me ide për t’i ndryshuar rrethanat.

Lajme të ngjashme