Zgjedhjet në BE, Konjufca kërkon që të mbështeten kandidatët shqiptarë - NACIONALE

Zgjedhjet në BE, Konjufca kërkon që të mbështeten kandidatët shqiptarë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ftuar shqiptarët që janë shtetas të vendeve evropiane që në zgjedhjet e BE-së t'i mbështesin kandidatët shqiptarë, të cilët garojnë në pati të ndryshme.

Ai ka bërë me dije se në këtë mënyrë do të dërgohen në Parlamentin Evropian kandidatë që do t`i mbrojnë parimet dhe interesat e Evropës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e BE-së.

Prandaj, duke qenë të kësaj rëndësie, zgjedhjet europiane nuk do të jenë të rëndësishme vetëm për shtetet anëtare, por për të gjithë ne. Shumë shqiptarë që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së duhet të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proeuropiane, por në veçanti t'i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglen e shumë partive europiane. Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona. Duke i votuar këta kandidatë, ne do t'i çojmë në Parlamentin Europian përfaqësues që do t'i mbrojnë vetë parimet dhe interesat e Europës, sepse proeuropianizmi i shqiptarëve është në natyrën tonë kombëtare!”, ka shkruar Konjufca.

Duke folur për rëndësinë e këtij proces, kryeparlamentari ka vlerësuar se në këto zgjedhje do të dëshmohet vendosmëria e Evropës.

Në rrethanat politike, gjeopolitike dhe të sigurisë në të cilat ndodhet Europa sot, zgjedhjet për Parlamentin Europian janë më të rëndësishme se kurrë. Në këto zgjedhje nuk do të zgjedhen vetëm përfaqësuesit e qytetarëve të shteteve anëtare në Parlament, por do të dëshmohet edhe vendosmëria e Europës në mbrojtjen e vlerave të saj fundamemtale të cilat sot po i kërcënohen drejtpërdrejtë nga pushtimi rus në Ukrainë. Prandaj, këto zgjedhje janë zgjedhje historike dhe do të mund të determinojnë të ardhmen e BE-së mbase edhe në dekadat në vijim. Një Bashkim Europian unik në mbrojtjen e vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe dinjitetit të popujve dhe shteteve do të jetë arma më e fortë kundër Rusisë pushtuese dhe ideologjive fashiste”, ka shkruar ai, duke shtuar se këto zgjedhje do të jenë të rëndësishme edhe për Ballkanin.

Këto zgjedhje nuk do të jenë pa ndikim edhe mbi rajonin tonë i cili të vetmen rrugë të sigurtë drejt paqes dhe prosperitetit e ka rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Shumë procese në Ballkanin Perendimor do të varen nga qasja, qartësia dhe gatishmërisë e BE-së për t'i përkrahur vlerat e saj të lirisë e demokracisë në rajonin tonë. Një qasje e barabartë dhe e drejtë ndaj të gjithëve do të jetë esenciale në europianizimin përfundimtar të shteteve tona”, ka shkruar Konjufca.

Lajme të ngjashme