VV kërkon dorëheqjen e Muhaxherit pasi Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve të Komunës së Pejës
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve të kësaj komune dhe një gjeodeti.
Dyshohet se ndaj personave që është ngritur aktakuzë, kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe konfliktit të interesit.
Rreth kësaj ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Pejë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen nga Kryetari, Gazmend Muhaxheri.
LVV – Qendra në Pejë, përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se edhe para dy viteve kanë kërkuar të njëjtën gjë nga Muhaxheri.
Në njoftimin e tyre thuhet se Muhaxheri gjatë 10 viteve të tij në qeverisje është përcjellë me skandale, korrupsion, abuzime e keqpërdorime.
Postimi i plotë:
10 zyrtarë komunal me aktakuza, mungon dorëheqja Gazmend Muhaxherit
Para dy viteve me vendim të Prokurorisë̈ Themelore në Pejë, Policia e Kosovës arrestoi Arianit Krasniqin, Drejtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike, Mustafë Nilen, Drejtor i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës, Rajan Arapit, Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Alban Bushati, zyrtar i Drejtoratit të Bujqësise dhe dy zyrtarëve të tjerë komunal.
Në atë kohë Lëvizja VETËVENDOSJE!- Qendra në Pejë ka kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, si personi përgjegjës i kësaj skeme të keqpërdorimeve. Në anën tjetër Gazmend Muhaxheri, i mbronte zyrtarët duke garantuar për punën e tyre dhe na akuzonte për paragjykim të rastit.
Sot, me date 24.02.2023, pas një procesi hetimor 2 vjeçar Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për 10 zyrtarë komunal për keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar, nga ta 4 drejtor komunal. 23 vepra penale rendojnë mbi të pandehurit ndërsa kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri nuk jep përgjegjësi.
Gazmend Muhaxheri këtë radhë nuk mund të shmanget me fjalë e as me heshtje.
10 vjet të qeverisjes së tij janë përcjellë me skandale, korrupsion, abuzime e keqpërdorime për të cilat Gazmend Muhaxheri gjithmonë është shmangur duke i lenë fajtor shokët që vet i ka zgjedhur.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë, tani kur gjithçka është shpërfaqur sheshit, kërkon nga Gazmend Muhaxheri të veprojë ashtu siç rrahte gjoks në fushatën zgjedhore, të bartë përgjegjësinë e tij dhe të ofroj dorëheqjen.
