Vuçiqi shkon në Ukrainë dhe i premton ndihma, por s’e nënshkruan deklaratën për më shumë trysni ndaj Rusisë
Serbia do t’i dërgojë Ukrainës ndihma humanitare shtesë, por nuk nënshkroi një thirrje rajonale për mbështetje të vazhdueshme të sigurisë për shtetin e përfshirë nga lufta dhe për më shumë presion ndaj Rusisë, tha të mërkurën në Kiev presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiqi më herët u takua me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe mori pjesë në samitin rajonal, Evropë Juglindore – Ukrainë. Kjo ishte vizita e parë e një udhëheqësi serb në kryeqytetin ukrainas për më shumë se një dekadë, por vizita e dytë e Vuçiqit në Ukrainë, pasi ai vitin e kaluar kishte marrë pjesë në samitin e njëjtë në Odesë vitin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Beogradi, i cili ka histroi të lidhjeve të ngushta me Moskën, ka refuzuar që t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, por në mënyrë të përsëritur i ka dënuar politikat e Moskës në Kombet e Bashkuara dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës. Vuçiqi është takuar me Zelenskyn në disa raste.
Pas samitit, presidenti serb, i cili po i shqyrton zgjedhjet e parakohshme, u zotua për më shumë ndihmë financiare, energjetike dhe mjekësore për Ukrainën, përfshirë ndihmën për të ndërtuar një qytezë, emri i së cilës nuk u saktësua.
“Deri më tani, nuk kemi bërë përparim të mirë dhe do ta bëjmë më të mirën tonë... për t’i arritur rezultatet më të mira për popullin ukrainas në atë qytezë” – tha Vuçiqi para gazetarëve serbë.
Ai tha se refuzoi që ta nënshkruante deklaratën e përbashkët të samitit, e cila bën thirrje për vazhdimin e mbështetjes politike, ushtarake, financiare dhe të sigurisë për Ukrainën dhe fuqizimin e trysnisë ndaj Rusisë.
Serbia ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por Rusia mbetet furnizuesja e saj më e madhe me gaz dhe kompania shtetërore e naftës, NIS, është kryesisht në pronësi të kompanive “Gazprom Neft” dhe “Gazprom”.