Ukraina thotë se centrali bërthamor Zaporizhzhia është "mbyllur plotësisht" - NACIONALE

Ukraina thotë se centrali bërthamor Zaporizhzhia është "mbyllur plotësisht"

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Agjencia bërthamore e Ukrainës, Energoatom ka njoftuar se është mbyllur edhe reaktori i fundit operativ në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, pasi një linjë transmetimi që lidh centralin me sistemin energjetik të Ukrainës është restauruar.

Uzina, kompleksi më i madh bërthamor i këtij lloji në Evropë, është "mbyllur plotësisht" pasi njësia e energjisë numër 6 e centralit është shkëputur nga rrjeti në orën 3:41 të mëngjesit me orën lokale, tha agjencia në një deklaratë.

Energoatom tha se një nga linjat e transmetimit është rivendosur në kapacitetin e saj operativ të shtunën, duke bërë të mundur furnizimin me energji të centralit nga sistemi energjetik i Ukrainës dhe mbylljen e njësisë së energjisë numër 6 dhe transferimin e saj në "gjendje më të sigurt - mbylljen e ftohtë".

Reaktori u shkëput nga rrjeti ukrainas javën e kaluar dhe po funksiononte në një "modalitet ishullor", duke gjeneruar energji elektrike dhe duke përdorur energjinë e tij për të fuqizuar sistemet e ftohjes.

Kujtojmë se, javën e kaluar, një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) bëri thirrje për "krijimin e menjëhershëm të një zone mbrojtëse të sigurisë bërthamore" rreth centralit bërthamor.

Në raport thuhej se, “eekziston një nevojë urgjente për masa të përkohshme për të parandaluar një aksident bërthamor që vjen nga dëmtimi fizik i shkaktuar nga mjetet ushtarake”.

Raporti i shumëpritur erdhi disa ditë pasi Drejtori i Përgjithshëm i IAEA Rafael Grossi udhëhoqi një mision ekspertësh në Zaporizhzhia, në atë që ishte vështrimi i parë i pavarur për gjendjen e objektit që kur Rusia e pushtoi atë në fillim të luftës.

Lajme të ngjashme