U takuan me Vuçiqin – KGJK ua ul pagat për 4 muaj 2 gjyqtareve - NACIONALE

U takuan me Vuçiqin – KGJK ua ul pagat për 4 muaj 2 gjyqtareve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ulje të pagës prej 30% për një periudhë prej 4 muajsh do të kenë dy gjyqtaret e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic, pasi që të dyja kishin marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Një vendim të tillë KGJK e ka marrë me 23 qershor 2022 pasi kishte aprovuar marrëveshjen vullnetare për pranim të fajësisë të lidhur mes dy gjyqtareve dhe panelit hetimor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e KGJK-së thuhet se dy gjyqtaret kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin me presidentin Vuçiq.

“Për panelin hetimor ka qenë e pakontestueshme se subjektet e hetimit me këtë rast Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic, kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin e datës 22.03.2022, me ftesë të presidentit te Republikës së Serbisë”, thuhet në këtë vendim.

Tutje, sipas arsyetimit të këtij vendimi thuhet se prezent kanë qenë dhe përfaqësues të tjerë politik, duke vlerësuar se ky takim ka qenë i natyrës politike pasi që në atë kohë kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Po ashtu, sipas këtij vendimi për këtë shkelje dy gjyqtaret janë pajtuar që të ju shqiptohet sanksioni disiplinor zvogëlim i pagës 30% në kohëzgjatje prej katër muajve

Lajme të ngjashme