Trumpi u vendos taksë 50 për qind shumicës së mallrave nga Kanadaja - NACIONALE

Trumpi u vendos taksë 50 për qind shumicës së mallrave nga Kanadaja

10 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën u vendosi taksë prej 50 për qind shumicës së mallrave kanadeze, duke deklaruar se vendi fqinj i ka diskriminuar veturat, alkoolin dhe prodhimet e bulmetit nga ShBA-ja.

Ky vendim mund të sjellë një valë të re të kaosit ekonomik, me rrezikun për inflacion më të lartë dhe tensionim të mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve që kanë qenë të lidhura ngushtë para rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Një zyrtar i administratës amerikane tha se Kanadaja është njëra nga vendet e pakta me përjashtim të Kinës që ka zbatuar masa hakmarrëse kundër taksave të mëparshme të Trumpit dhe duhet të mbahet përgjegjëse.

Zyrtari këmbënguli që të fliste në kushte anonimiteti në një bisedë me gazetarë për t’i njoftuar veprimet e presidentit dhe tha se Trumpi ka nënshkruar tri njoftime për fillimin e taksave sipas nenit 338 të Aktit të Tregtisë të vitit 1930. Disa ligjvënës demokratë vitin e kaluar kishin propozuar që ky nen të shfuqizohej, sepse kishin thënë se Trumpi mund ta përdorte atë për ta destabilizuar ekonominë.

Në taksën e re prej 50 për qind përjashtohen produktet e energjisë, potasiumi, peshku dhe mineralet kritike, por aty përfshihen mallra që më parë kanë qenë të mbrojtura nga taksat e importit përmes Marrëveshjes ShBA – Meksikë – Kanada (USMCA). Pakti tregtar i vitit 2020 ka skaduar rishtazi dhe ka nxitur një valë të re bisedimesh që mund të zgjasin deri më 2036.

Zyrtari amerikan tha se Trumpi ka kërkuar nga ndihmësit e tij që të shqyrtojnë taksa shtesë ndaj Kanadasë, sepse zjarret në natyrë në shtetin fqinj e kanë dëmtuar cilësinë e ajrit në ShBA.

Lajme të ngjashme