Trumpi thotë se ShBA-ja po shikon nëse Izraeli e shkeli armëpushimin me vrasjen e gjeneralit të Hamasit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Uashingtoni është duke shikuar nëse Izraeli e shkeli armëpushimin në Gaza me sulmin që e la të vrarë në fundjavë komandantin e lartë të Hamasit, Raad Saad.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë mohoi se kishte ndonjë çarje në marëdhënien e tij me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe me Izraelin në përgjithësi, pavarësisht raportimeve se ndihmësit e tij të lartë janë të zemëruar me veprimet e Netanyahut në Gaza, shkruan gazeta "The Times of Israel".
Kur u pyet se kur do ta fillonte operimin në Gaza Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit, presidenti amerikan para gazetarëve në Zyrën Ovale tha se “në një formë, ajo tashmë është duke funksionuar”.
Asnjë shtet nuk ka njoftuar publikisht se do të kontribuojë me trupa në këtë forcë, duke e marrë parasysh refuzimin e Hamasit për t’u çaramtosur dhe refuzimin e Izraelit për ta lejuar përfshirjen e vendeve ndërmjetësuese, Turqisë e Katarit.
Trumpi përsëri pretendoi se Hamasi është pajtuar që të çarmatoset dhe se shtetet janë të gatshme për të dërguar trupa.
“Ato do të dërgojnë çfarëdo numri trupash që unë ua kërkoj” – deklaroi presidenti amerikan.