Trumpi pritet të takohet me presidentin Sharaa të Sirisë, njofton heqjen e sanksioneve - NACIONALE

Trumpi pritet të takohet me presidentin Sharaa të Sirisë, njofton heqjen e sanksioneve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do t’ia heqë sanksionet Sirisë, para një takimi të pritshëm me homologun sirian, Ahmed al-Sharaa.

Trumpi është pajtuar që t’i thotë “përshëndetje” presidentit të përkohshëm sirian të mërkurën në Arabinë Saudite si pjesë e udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme, tha Shtëpia e Bardhë.

Njoftimi për heqjen e sanksioneve u prit me gëzim të madh në kryeqytetin sirian, Damask, ku u dëgjuan brohoritje gëzimi, pati vallëzime e të shtëna feste, raporton televizioni BBC.

Sanksionet më parë kishin bllokuar çfarëdo financimi të jashtëm, përfshirë ndihmat, dhe fillimisht kishin për qëllim t’i bënin trysni diktaturës së tashmë ish-presidentit Bashar al-Assad.

Trumpi tha se ndryshimi i politikave rreth sanksioneve do t’i japë Sirisë “një mundësi për madhështi”, duke thënë në një forum investimesh në Riad të Arabisë Saudite se “është koha e tyre që të shkëlqejnë”.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, e festoi vendimin, duke e cilësuar si “pikë kthese thelbësore për vendin” në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve, “Sana”.

Nëntëdhjetë për qind e popullsisë së Sirisë mbeti në kufirin e varfërisë në fund të regjimit të Assadit dhe qeveria e re ka qenë duke bërë thirrje për t’u dhënë fund sanksioneve që nga koha e rrëzimit të Assadit në dhjetor.

Lajme të ngjashme