Trump miraton marrëveshjen që i hap rrugë Arabisë Saudite për pasurimin e uraniumit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka miratuar një marrëveshje me Arabinë Saudite që mund t’i ofrojë mbretërisë aftësinë për pasurimin e uraniumit për programin e saj bërthamor civil, sipas raportimeve të mediave të huaja.
Personat, të cilët nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht rreth vendimit që ende nuk është shpallur zyrtarisht, thanë se marrëveshja mund të shpallet të mërkurën. Marrëveshja është raportuar si nga Wall Street Journal, ashtu edhe nga New York Times.
Tutje, raportohet se marrëveshja pritet të zgjasë 30 vjet dhe gjithashtu të përfshijë kompani amerikane në zhvillimin e programit. Ajo mund të lejojë ndërtimin e një impianti për pasurimin e uraniumit në Arabinë Saudite, pas një studimi të përbashkët SHBA–Saudite.
Pritet që propozimi t’i paraqitet Kongresit për shqyrtim, ku mund të përballet me vështirësi mes ligjvënësve, të cilët kanë frikë se ndihma ndaj sauditëve për të përmbushur dëshirën e tyre të gjatë për të pasuruar uraniumin do të hapte raunde të reja të përhapjes dhe konkurrencës bërthamore.