Tentoi t’i vriste katër persona me armë zjarri në Deçan, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj I.Z.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.Z , për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë dhe disa vepra tjera.
Sipas aktakuzës, më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit, i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona.
Si pasojë e të shtënave, tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.
“Aktakuza gjithashtu ngarkon të pandehurin se armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e kishte mbajtur pa autorizim ligjor, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët. Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion”, është thënë në komunikatë.