Surroi e kritikon Abdixhikun e LDK-në për heshtje ndaj shkëmbimit të pronave të ish-klientëve të Ramës
Flaka Surroi, gazetare veterane dhe opinioniste, ka shkruar një opinion në lidhje me çështjen e shkëmbimit të pronave të ish-klientëve të Përparim Ramës, kryetar i Komunës së Prishtinës.
Ajo e kritikoi Ministrinë e Financave, por edhe LDK-në dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun.
Më saktë, Surroi shkroi se heshtje më të madhe se të MF-së po e shpërfaq Abdixhiku dhe LDK-ja, duke e injoruar krejt raportimet e medieve.
“Por heshtje më të madhe se të ministrisë e shpërfaq LDK-ja dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku. Skandalin që e nisi kryetari të cilin ai e përzgjodhi për kandidat më 2021, dhe të cilin e përkrahën asamblistët komunalë të LDK-së, me ndihmën e asamblistëve të AAK-së dhe të AKR-së, (dhe të mos harrojmë kuorumin që ia krijuan asamblistët e VV-së) po e injoron thuajse po ndodh në ndonjë planet tjetër. Aq më i madh injorimi kur emri i tij tashmë figuron si një nga elementet kyç të këtij skandali, ngase si ministër i Qeverisë Kurti 1, e kishte ndaluar ndërtimin te Badovci.” – shkroi ajo, ndër të tjera, në Koha.