Stano: Asnjë hap tjetër nuk kërkohet që Marrëveshja e Ohrit të jetë në fuqi, është tërësisht në fuqi
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano nuk ka komentuar deklaratat e kryenegociatorit Besnik Bislimi, i cili tha se emisari Miroslav Lajçak i ka thënë se “po punohet të tërhiqet” letra e Serbisë në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Në një përgjigje për Nacionalen, ai krejt këto i vlerësoi për “taktika të shmangies” së zbatimit të marrëveshjes për normalizimit; dhe se “nuk mund të komentojë turli-faresh (all sorts of) deklaratash”.
“Marrëveshja jo vetëm që është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme, por në rastin e Serbisë është pjesë edhe e Kapitullit 35 në procesin e saj për anëtarësim në BE.” – tha Stano.
Palët, tha ai – referuar si Kosovës ashtu edhe Serbisë – “duhet të mos humbin kohë më shumë me taktika të shmangies (nga zbatimi)”.
“Për pyetje mbi atë se çka Serbia bën, shkruan e tërheq, ju referojmë te zyra për shtyp e Qeveris së Serbisë”, tha Stano, derisa sa i përket BE-së në raport me Marrëveshjen, shtoi se ”çka në të vërtetë është relevante është kryerja e obligmeve të Marrëveshjes pa vonesa e shpërqendrime të mëtejme”.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj ishin shumë të qarta me Kosovën dhe Serbinë, se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është përfundimtare dhe e detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, dhe se nuk kërkohet asnjë hap tjetër që ajo të jetë në fuqi.” - tha Peter Stano për Nacionalen.
Më shumë detaje në tekstin: Ec e merre vesh Bislimin: BE kritikon 'taktikat e ikjes' nga zbatimi i Marrëveshjes përmes 'e hoqi, s'e hoqi letrën' Serbia