'Rrënimi i shtëpive te Ujmani', Ambasada gjermane: Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm, të respektohen parimet e sundimit të ligjit që janë thelbësore për rrugën e Kosovës drejt BE-së - NACIONALE

'Rrënimi i shtëpive te Ujmani', Ambasada gjermane: Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm, të respektohen parimet e sundimit të ligjit që janë thelbësore për rrugën e Kosovës drejt BE-së

2 orë më parë

nga NACIONALE

Pas Bashkimit Evropian, ka reaguar edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, duke ndarë shqetësimet e shprehura nga BE-ja për rrënimin e shtëpive rreth Ujmanit nga autoritetet e Kosovës.

Tutje, ambasada ka kërkuar respektimin e sundimit të ligjit dhe Kushtetutës nga autoritetet e Kosovës, duke theksuar se këto janë thelbësore për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Mbrojtja e procesit të rregullt ligjor dhe respektimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës”.

Tutje thuhet se kërkohet “ndalimi i menjëhershëm i veprimeve të tilla dhe kërkojmë zgjidhje transparente dhe të ligjshme”.

Ambasada Gjermane në Prishtinë ndan shqetësimet e shprehura nga BE-ja. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për prishjen e shtëpive në liqenin Gazivodë/Ujman. Mbrojtja e procesit të rregullt ligjor dhe respektimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës. Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla dhe kërkojmë zgjidhje transparente dhe të ligjshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Ndërsa, ky është reagimi i plotë i BE-së:

BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës.

BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës, që nga shkurti i këtij viti.

Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje të mëtejshme në posedim, derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrën e duhur.

Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.

Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrën e duhur.

Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrenë shqetësime serioze për sundimin e ligjit.

Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten.

Lajme të ngjashme