“Propaganda politike dështoi”, “VITA”: Muja e konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme
Qumështorja “VITA” ka reaguar pas konferencës së sotme të ministrit në detyrë të Bujqërisë, Armend Muja.
Në reagimin e qumështores është thënë se edhe sot propaganda politike kundër kësaj kompanie ka dështuar.
Sipas qumështores, edhe ministri e konfirmoj se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme.
“Siç u pa edhe sot, konferenca vazhdoi me të njëjtën qasje ndaj Qumështores VITA. Edhe këtë herë, Ministri u përpoq përmes deklaratave politike dhe interpretimeve të përgjithshme të njollosë VITA-n dhe qumështin e fermerëve të Kosovës. Por faktet nuk mund të ndryshohen me propagandë politike. Sot, vetë Ministri konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme”, është thënë në reagimin e qumështores.
Më tej, është vlerësuar se për këtë arsyeje kërkonin që rezultatet e analizave të publikoheshin sa më shpejt.
“Pikërisht këtë kemi kërkuar që nga dita e parë: publikoni analizat dhe lërini qytetarët ta shohin të vërtetën. Prandaj, edhe një herë, më poshtë po i publikojmë analizat zyrtare të dërguara nga AUV, në mënyrë që secili qytetar t’i shohë vetë rezultatet. Nuk është turp të thuhet e vërteta. Edhe sot u pa qartë se fokusi i Ministrit ishte tërësisht vetëm te Qumështorja VITA. Ne nuk do të heshtim përballë dëmtimit të një brendi vendor dhe të qumështit që vjen nga fermerët e Kosovës. Dokumentet janë publike. Faktet flasin vetë”, është thënë në reagim.