Polici kosovar që u gjet i vdekur në Kukës, Policia e Shqipërisë jep detaje: Po bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës
Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje në lidhje me policin e Kosovës, i cili sot është gjetur i vdekur në varrezat e fshatit Morinë të Kukësit.
Përmes një njoftimi për media, policia ka treguar se bëhet fjalë për vetëvrasje.
“Më datë 22.07.2026, rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë është gjetur pa shenja jete shtetasi Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren, punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka vrarë veten me armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, është thënë në njoftimin e policisë shqiptare, duke treguar se ky institucion po bashkëpunon me Policin e Kosovës për zbardhjen e rastit.
“Ndërkohë, Policia e Shtetit po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e zjarrit e sekuestruar është arma e shërbimit të 35-vjeçarit, si dhe për sigurimin e çdo informacioni që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë ligjor të rastit”, është thënë në njoftim.