Po varrosnin një të vrarë nga sulmi i mëhershëm, tetë palestinezë vriten nga sulmi izraelit - NACIONALE

Po varrosnin një të vrarë nga sulmi i mëhershëm, tetë palestinezë vriten nga sulmi izraelit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një sulm ajror izraelit la të vrarë të paktën tetë palestinezë dhe plagosi 20 të tjerë që po merrnin pjesë në një funeral të premten në Nuseirat të Gazës për një person të vrarë nga një sulm i mëhershëm izraelit në atë zonë më herët po në këtë ditë, thanë zyrtarët shëndetësorë të enklavës.

Këto viktima, bashkë me të paktën tre palestinezë që u vranë në sulme të tjera ajrore izraelite në Gaza, e çuan në të paktën 12 numrin e të vrarëve të premten, thanë mjekët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Hamasi e dënoi sulmin në Nuseirat, duke e quajtur “masakër brutale” ndaj personaleve që po merrnin pjesë në funeral dhe u bëri thirrje ndërmjetësve dhe Kombeve të Bashkuara që të veprojnë për t’i ndalur sulmet izraelite në Gaza.

Kur u pyet për këtë sulm, ushtria izraelite tha se goditi një celulë që i përkiste grupit militant Xhihadi Islam, i cili ka nën kontroll disa pjesë të enklavës bashkë me Hamasin.

Ushtria tha se ishte “e vetëdijshme për pretendimet se disa individë të papërfshirë ishin lënduar si rezultat i sulmit”.

Ndërkohë, banorët në një zonë në lindje të Deri al-Balahut, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, thanë se forcat izraelite përdorën dronë për të përçuar mesazhe me zë e për t’i urdhëruar që të largoheshin nga shtëpitë. Disa familje u detyruan që të largoheshin për të kërkuar vende më të sigurta.

Lajme të ngjashme