Pamje: Dybala magjepsës në pjesë të parë, shijon dy golat e parë në kampionat me Romën - NACIONALE

Pamje: Dybala magjepsës në pjesë të parë, shijon dy golat e parë në kampionat me Romën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Paulo Dybala ka ngritur në qiellin e shtatë tifozët e Romës, pasi kompletoi dygolëshin e tij të parë me fanellën e klubit kryeqytetas italian, duke gjunjëzuar në pjesë të parë Monzan.

Dybala ka qenë afrimi më i bujshëm i Romës në këtë afat kalimtar veror. Transferimi i tij ka prodhuar një eufori që nuk shihej prej shumë kohësh te klubi verdhekuq.

Tek sot tifozët vendës patën mundësi që t'i shijonë golat e parë të tij. Dybala zhbllokoi shifrat kundër Monzas në minutën e 18-të, duke shënuar një gol tejet të bukur, në limitet e zonës së rreptësisë, nga ku lëshoi një silur të vërtetë.

Nuk vonoi shumë dhe sulmuesi argjentinas shënoi golin e dytë, duke i dhuruar epërsinë e dyfishtë skuadrës së tij. Zhvillohej minuta e 32-të kur ai lexoi siç ishte më së miri rrjedhën e aksionit, duke e devijuar topin në brendi të katërkëndshit të skuadrës lombarde, e cila për hir të vërtetës kampionatin e ka nisur shumë dobët deri më tani.

Me epërsinë 2:0 Roma shkoi në dhomat e zhveshjes, në pritje të fillimit të pjesës së dytë, për t'i vendosur në kasafortë tre pikët e radhës që do ta shpijnë atë në krye të klasifikimit deri në fundjavë.

Lajme të ngjashme