Nis gjykimi për rastin “Capat”, sot shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për vrasje të rëndë - NACIONALE

Nis gjykimi për rastin “Capat”, sot shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për vrasje të rëndë

7 orë më parë

nga NACIONALE

Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë pritet të mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit, të cilët përballen me akuza për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, në lidhje me përleshjen mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqët”, të ndodhur gjatë vitit 2024.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Llapashtica akuzohet se, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa ai dhe Dardan Marevci akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ngjarja ka të bëjë me përplasjen mes dy grupeve rivale, e cila pati pasoja të rënda dhe për të cilën organi i akuzës ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se shqyrtimi fillestar do të zhvillohet sot në Pallatin e Drejtësisë, ku çështja penale do të trajtohet nga trupi gjykues kompetent.

Në njoftimet e mëhershme për këtë rast, Gjykata kishte bërë të ditur se të pandehurit kishin qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, për çka ishte kërkuar që procedura gjyqësore të zhvillohej në mungesë të tyre.

Lajme të ngjashme