Musliu-Shoshi: Fëmijët me kancer përballen me sfida të mëdha emocionale, shteti duhet të sigurojë psikologë
Komisionit për të Drejta të Njeriut sot ka vizituar Repartin e Onkologjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Anëtarja e këtij komisioni, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka treguar sfidat me të cilat po përballen fëmijët e prekur nga kjo sëmundje.
Në profilin e saj në “Facebook”, Musliu-Shoshi ka shkruar se fëmijët e prekur nga kanceri shpesh përjetojnë frikë, ankth dhe izolim social për shkak të trajtimeve të vështira dhe periudhave të gjata në spital.
“Trajtimi i fëmijëve me kancer në Kosovë përballet me sfida të mëdha emocionale për fëmijët, familjet dhe stafin mjekësor. Fëmijët shpesh përjetojnë frikë, ankth dhe izolim social për shkak të trajtimeve të vështira dhe periudhave të gjata në spital. Për shkak të trajtimit të nevojshem fëmijët kanë mungesë në kontaktin me miqtë, shkollën dhe rutinën e përditshme! Prandaj, detyrimisht DUHET të sigurohet qasja në mësim e këtyre fëmijëve! Familjet po ashtu përballen me stres të madh emocional dhe financiar, duke përjetuar pasiguri për të ardhmen e fëmijës së tyre dhe mungesë të mbështetjes psikologjike. Ndërkohë, stafi mjekësor përballet me lodhje emocionale dhe frustrim për shkak të kufizimeve në burime dhe infrastrukturë, që shpesh pengojnë ofrimin e kujdesit të nevojshëm’, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Ai ka bërë me dije se shtetit duhet të sigurojë psikologë për këta fëmijë.
“Prandaj, është e nevojshme dhe prioritet që nga shteti të sigurohen psikolog dhe terapi të nevojshme e të veçanta për fëmijët dhe të mos mbesim në lëmoshë nga organizata e shoqata për sigurim të terapive për fëmijët tanë”, ka shkruar ajo.