Lushtaku, pas raportimit të Nacionales: RTK po kthehet në zyrë propagande në shërbim të pushtetit - NACIONALE

Lushtaku, pas raportimit të Nacionales: RTK po kthehet në zyrë propagande në shërbim të pushtetit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Sami Lushtaku ka reaguar ashpër pas raportimit të Gazetës Nacionale se gazetarja Arlinda Sejda është larguar nga RTK-ja pas presioneve lidhur me një kronikë për rastin mes eskortës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe automjetit në të cilin ndodhej Lushtaku në Skenderaj.

Në reagimin e tij, Lushtaku e ka cilësuar dorëheqjen e Sejdës si alarm për lirinë e medias në Kosovë dhe se asnjë pushtet nuk ka të drejtë ta kthejë televizionin publik në instrument propagande.

“Dorëheqja e gazetares Arlinda Sejda është një alarm i madh për lirinë e medias në Kosovë. Kur gazetarët detyrohen të largohen nga puna për shkak të presioneve politike, nuk kemi më një televizion publik në shërbim të qytetarëve, por një mekanizëm propagande në shërbim të pushtetit, i cili po rrëshqet në autoritarizëm”, ka shkruar Lushtaku.

Lushtaku ka akuzuar pushtetin për ndërhyrje ndaj policëve dhe gazetarëve.

“Kush është ky regjim që i suspendon policët pse nuk hartuan raportin policor sipas direktivave të tyre? Çfarë regjimi është ky që u dikton gazetarëve çfarë të raportojnë? Çfarë pushteti është ky që ushtron presion mbi profesionistët, i ndëshkon kur nuk binden dhe tenton të prodhojë "fakenews" sipas interesave të veta?”, ka shkruar Lushtaku.

Lajme të ngjashme