Largimi i gazetares nga RTK, Deliu-Kodra: Nëse i është kërkuar të prodhojë storje me AI, kjo nuk është më gazetari
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pasi gazetarja Alrinda Sejda është detyruar të largohet sot nga RTK-ja.
Ajo ka shprehur disa dyshime që lidhen me largimin e gazetares në fjalë.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se ka informacione se asaj i është kërkuar të prodhojë storje me Inteligjencë Artificiale.
“Edhe një gazetare u largua nga RTK-ja. Jo sepse nuk deshi të punojë, por sepse nuk pranoi ta humbë dinjitetin profesional. Arlinda Sejda, gazetare me përvojë, u largua duke denoncuar presione që nuk kanë vend në një transmetues publik. Nëse është e vërtetë se nga ajo është kërkuar të prodhojë storje me Inteligjencë Artificiale për qëllime politike, atëherë kjo nuk është më gazetari. Është fabrikim. Është propagandë. Është kapje. Sot gazetarët po mbeten vetëm. Por e vërteta nuk mbetet vetëm përgjithmonë. Sa më shumë që pushteti mundohet ta kontrollojë RTK-në, aq më shumë e zbulon frikën e vet. RTK-ja duhet t’i kthehet publikut”, ka shkruar Deliu-Kodra