Kryeziu: Ngecjet e evidentuara në Raportin e Progresit u ngarkohen aktorëve politikë dhe institucionalë - NACIONALE

Kryeziu: Ngecjet e evidentuara në Raportin e Progresit u ngarkohen aktorëve politikë dhe institucionalë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar gjetjet e Raportit të Progresit për Kosovën.

Ai ka bërë me dije se Komisioni Evropian në raporti fakton dhe tërheq vëmendjen për stagnimet dhe sfidat.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se këto ngecje u ngarkohen aktorëve politikë dhe institucionalë.

Raporti i Komisionit Evropian në shumicën e çështjeve të përfshira në raport, fakton dhe tërheq vëmendjen për stagnimin, sfidat, problemet që pengojnë dhe kufizojnë progresin e nevojshëm në Kosovë. Dhe të gjitha këto ngecje u ngarkohen akterëve politikë dhe institucionalë, sipas peshës dhe përgjegjësisë që ata kanë. Këto ngecje dhe nevojat për aplikimin e standardëve për qeverisje të mirë, janë sjellë në vëmendjen e aktorëve dhe publikut çdo ditë nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediat, por qeveria, partitë politike dhe dikasteret tjera përgjegjëse, janë bërë të shurdhër dhe injorante ndaj këtyre fakteve”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, për të garantuar progresin e nevojshëm të Kosovës, është përgjegjësi e politikëbërsve.

Zhvillimi i vlerave dhe standardeve demokratike për qeverisje të mirë, me integritet dhe përfshirje të gjerë nuk duhet të jenë vetëm rezultat i masave, sanksioneve dhe kamgjikut nga BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar. Për të garantuar progresin e nevojshëm të Kosovës, është përgjegjësi e politikëbërsve, të zgjedhurve, qeverisë dhe institucioneve tona vendore, dhe ne si qytetarë nuk duhet të heshtim dhe të lejojmë që këto zhvillime të varën dhe të jenë peng i vullnetit të tyre politik e qeverisës”, ka shkruar Kryeziu.

Lajme të ngjashme