Kreu i sindikalistëve të QKUK-së: Të ketë rritje pagash pas rritjes ekonomike - NACIONALE

Kreu i sindikalistëve të QKUK-së: Të ketë rritje pagash pas rritjes ekonomike

2 javë më parë

nga NACIONALE

Sipas Xhemajl Selmanit, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të QKUK-së, propozimet e tyre për rritje të pagave prej 50% janë realiste.

Selmani deklaroi në Frontal të T7 se pagat për mjekët duhet të rriten në hap me rritjen ekonomike të premtuar nga qeveria.

“Në qeverinë e Isa Mustafës është vendosur një rregull që të ketë rritje pagash çdo vit pas rritjes ekonomike. Kërkesa jonë është modeste dhe e kemi marrë si kërkesë të arsyeshme me të cilën e kalojmë këtë periudhë 10-12 mujore. Për mjekun 300-350 euro kurse për infermierin 100-150 euro. Më keq i kemi kolegët infermierë dhe stafin teknik duke filluar nga bukëdhënësit nëpër spitale, rojet, pastruesit të cilët kanë bashkëjetu dhe gjatë pandemisë e kanë pasë barrën shumë të rëndë”, tha ai, shkruan Express.

Selmani pohoi se pas dorëzimit të kërkesave në qeveri që në shkurt, nuk kishin marrë asnjë përgjigje.

“Këtë kërkesë e kemi pasë që nga muaji shkurt por jemi dëshmitar që është ndërprerë dialogu social duke filluar nga niveli menaxherial në QKUK deri te ministria e Shëndetësisë. Jemi munduar që punët tona të përditshme t’i artikulojmë por s’kemi marrë asnjëherë përgjigje”, tha ai.

Lajme të ngjashme