KPMShCK-ja shfuqizon dy vendime të jashtëligjshme të Shpejtim Bulliqit - NACIONALE

KPMShCK-ja shfuqizon dy vendime të jashtëligjshme të Shpejtim Bulliqit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka shfuqizuar dy vendime të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Vendimi i parë, i cili është marrë më 22 gusht ka të bëjë me kthimin e një zyrtari në pozitën “Zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun”, sipas akt-emërimit të 1 prillit të 2014-s.

Bulliqi, më 8 qershor e transferoi zyrtarin e lartcekur në pozitë ekuivalente të së njëjtës kategori në kuadër të Drejtorisë për Gjeodezi.

Por, zyrtari është ankuar më pas te KPMSHCK-ja, duke pretenduar se një vendim i tillë në kundërshtim me ligjin.

Ankesa e tij u aprovua si e bazuar. Kësisoj, Këshilli vendosi se vendimi i Bulliqit është nxjerr në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, vendimi i dytë që u shfuqizua u mor më 26 gusht, lidhet me transferimin e përkohshëm të një zyrtari nga pozita e Inspektoratit të Tregut në ‘Zyrtar për regjistrimin e bizneseve’.

Ai ka parashtruar ankesë në KPMSHCK më 26 korrik, kundër vendimit për transferim të përkohshëm, duke kërkuar që i njëjti të anulohet.

Këshilli bëri të ditur se i njëjti sipas akt-emërimit të 1 gushtit, 2020, është emëruar në pozitën ‘Inspektor i Tregut’ në Komunën e Podujevës.

Por, më 22 korrik, kryetari Bulliqi nxori vendimin që ai të transferohet përkohësisht nga pozita që e ka ushtruar në pozitën ‘Zyrtar për Regjistrimin e Automjeteve’, raporton Paparaci.

Mbi këtë çështje, Kolegji vendoi se ankesa e zyrtarit është e bazuar pasi vendimi është nxjerr nga personi jo kompetent. Pra, vendimin e ka lëshuar kryetari i Komunës e jo menaxherja e Njësisë së Burimeve Njerëzore.

Mes tjerash, në vendimin e Bulliqit tregohet se nuk është cekur kohëzgjatja e transferit të zyrtarit nga një drejtori në tjetër.

Të dyja vendimet e Këshillit kanë hyrë në fuqi, ditën që janë firmosur.

Lajme të ngjashme