Konjufca pretendon se Qeveria Kurti forcoi raporte me ShBA-në, “harron” vendimin e amerikan për suspendimin e Dialogut Strategjik
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, është lavdëruar për forcim të raporteve të Kosovës me aleatët gjatë Qeverisë Kurti.
Në adresimin e tij në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, ai ka thënë se kjo qeveri ka avancuar raportet edhe me ShBA-në.
Por, kryediplomati i Kosovës ka harruar se pikërisht për shkak të kësaj qeverie aleati më i madh i Kosovës ka suspenduar përkohësisht dialogun strategjik.
“Gjatë këtyre gjashtë muajve si kryediplomat, ministria jonë ka intensifikuar angazhimin tonë ndërkombëtar, me dhjetëra aktivitete diplomatike, dhe komunikime me shtete partnere. Këto nuk janë vetëm një numër, pas çdo takimi kemi objektive diplomatike. Kemi forcuar me marrëdhëniet me ShBA-në, MB, Gjermani, Austri, Belgjikën, shtetet nordike, e shumë shtete tjera”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Kemi qenë aktiv në forumet ndërkombëtare. Rezultat është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, të sigurisë dhe ekonomisë, kemi ndërtuar ura të bashkëpunimi. Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar shtetet që nuk e njohin Kosovën, në Evropë, Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine. Aty ku s’kemi ende njohje duhet komunikim të shtuar”, është shprehur ai.
Ai ka përmendur edhe hapjen e një konsulate të përgjithshme në Houston.
“Kemi thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinë. Një nga objektivat kryesore mbetet integrimi euro-atlantik. Po angazhohemi për KiE, punime të strukturuara. Në Strasburg kemi bërë të qartë. Ne meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane. Këtë e thonë edhe shtete anëtare të Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.