Konjufca kërkon reagim të fuqishëm të BE-së pas deklaratës së ministres serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve - NACIONALE

Konjufca kërkon reagim të fuqishëm të BE-së pas deklaratës së ministres serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve

2 orë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë të Qeverisë së Serbisë, e cila ka bërë thirrje publike për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.

“Një ministër i Qeverisë së Serbisë ka bërë thirrje publikisht për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Një retorikë e tillë glorifikon krimet e luftës, kërcënon stabilitetin rajonal dhe është krejtësisht e papajtueshme me vlerat evropiane, si dhe me të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Konjufca.

Kryediplomati shkroi se institucionet evropiane duhet të reagojnë qartë dhe në nivelin më të lartë ndaj një gjuhe të tillë.

“Heshtja nuk është opsion. As përgjigjet e dobëta”, ka shkruar ai.

Konjufca ka kërkuar që sjellja e zyrtarëve serbë të ketë ndikim edhe në rrugën integruese të Serbisë.

“Nivelet më të larta të udhëheqjes së BE-së duhet të reagojnë me një dënim të qartë publik, t’ia rikujtojnë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurojnë që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të anëtarësimit”, ka deklaruar ai.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, një shoqërie shumetnike, pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe të ardhmes evropiane. Edhe Serbia duhet ta zgjedhë këtë rrugë”, ka përfunduar Konjufca.

Lajme të ngjashme