Kasolli: Kurti po kryen mision të dyfishtë, edhe tension, edhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit
Politologu Afrim Kasolli vlerëson se, pavarësisht tensioneve që shihen në publik mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, qasja e kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë u shkon më së shumti për shtati ndërmjetësve ndërkombëtarë.
Sipas Kasollit, interesi i Bashkimit Evropian mbetet zbatimi gradual i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, ndërsa kjo po ndodh pa krijuar tensione të mëdha në opinionin e brendshëm. Ai thotë se, përderisa qytetarëve u thuhet se Kosova nuk i ka pranuar këto marrëveshje për shkak të mungesës së nënshkrimit nga presidenti i Serbisë, në praktikë zbatimi i tyre tashmë ka nisur.
Kasolli i referohet edhe deklaratës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, i cili ka thënë se ka filluar zbatimi i marrëveshjeve.
Sipas politologut, Kurti po realizon një "mision të dyfishtë": nga njëra anë ruan retorikën e rezistencës ndaj presionit ndërkombëtar për konsum të brendshëm politik, ndërsa nga ana tjetër zbaton obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, duke u shndërruar në një partner funksional për Brukselin.
Kasolli përfundon se, për zyrtarët evropianë, më shumë rëndësi ka zbatimi i marrëveshjeve sesa retorika politike, duke shtuar se ajo që ka peshë është përmbushja e agjendës diplomatike që ai e përshkruan me shprehjen: "Finish the job".