Isufi: Në kërkesën për 75 hektarë tokë publike, si person kontaktues figuron anëtari i kabinetit të kryetarit Alban Hyseni
Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Burhan Isufi, ka kërkuar sqarime lidhur me propozimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, për 99 vjet, të 75 hektarëve tokë publike.
Sipas Isufit, shqetësimi kryesor lidhet me faktin se në dokumentacionin e kompanisë Nord Kos SH.P.K., e cila ka paraqitur kërkesën, si person kontaktues figuron Eronit Hajdari, anëtar i kabinetit të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai ka pyetur publikisht se në çfarë cilësie një zyrtar i kabinetit të kryetarit është i përfshirë si person kontaktues në dokumentet e një kompanie private, duke kërkuar sqarime nga kryetari Hyseni.
Isufi ka theksuar se dhënia në shfrytëzim e 75 hektarëve tokë publike për 99 vjet është një çështje me interes të madh publik dhe se qytetarët e Gjilanit meritojnë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta për këtë proces.