Ish zëvendësi i Rozeta Hajdarit: Pagat duhet rritur për të paktën 11.2% nëse duam të ruajmë fuqinë blerëse - NACIONALE

Ish zëvendësi i Rozeta Hajdarit: Pagat duhet rritur për të paktën 11.2% nëse duam të ruajmë fuqinë blerëse

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-zëvendësministri në MEPTINS në qeverinë Kurti 1, Edison Jakurti e ka quajtur shqetësues raportin e ASK-së sa i përket çështjes së inflacionit vjetor, saktësisht për muajin gusht.

Sipas Jakurtit, duke u bazuar në raportin e ASK-së, inflacioni për gushtin e këtij viti ka arritur në vlerën e 13 për qindëshit.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i rrisë pagat për së paku 11.2 për qind, në mënyrë që sipas tij të ruhet fuqia blerëse..

“Sipas ASK-së, inflacioni vjetor në gusht qenka 13%. Ndonëse është më pak se muajin e kaluar, kur ishte 14.2%, mbetet shqetësuese rënia e madhe në të ardhurat reale. Për shembull, vlera reale e 100 eurove në gusht 2021 ka qenë rreth 90.8 euro, ndërsa në gusht 2022 ka rënë në 80.3 euro. E gjatë gjithë këtij viti, mesatarja e inflacionit është 11.2%. Kjo do të thotë se, nëse duam që ta ruajmë fuqinë blerëse, pagat duhet rritur për së paku 11.2%”, ka shkruar Jakurti.

E Agjencia e Statistikave të Kosovës, që po përballet me probleme në uebfaqen e tyre për shkak të sulmeve kibernetike, ka publikuar çmimet mesatare të artikujve në katër ditët e fundit.

Në tabelën e titulluar “Çmimet ditore për atikujt bazik”, ASK ka treguar lëvizjen e çmimeve për shumicën e produkteve bazike.

Ndërmjet datave 2 dhe 6 shtator, ka pasur rritje të çmimeve në disa produkte, por edhe rënie në disa të tjerë.

Më së shumti u shtrejntua orizi.

Më 2 shtator, orizi mesatarisht kushtonte 1 euro e 15 centë sipas ASK-së, ndërsa më 6 shtator, pra saktësisht 4 ditë më vonë, çmimi i orizit “flutori” në 1 euro e 33 cent. Për katër ditë, orizi u shtrejntua për 18 centë.

Ndërsa çmimi mesatar i makaronave u shtrejntua për 5 centë brenda 4 ditëve.

Më 2 shtator, sipas ASK-së, çmimi mesatar i makaronave ishte 91 centë, ndërsa më 6 shtator, 500 gramë makarona kushtojnë 96 centë.

Edhe mielli u shtrejntua për 4 centë, ndërsa ajka u shtrejntua për 17 centë për katër ditë.

Siç shihet në tabelën e ofruar nga ASK, 33 centë më shtrejntë kushton kafja e bluar.

Lajme të ngjashme